Qeveria demanton raportimin se e ka pranuar planin e ri për Asociacionin - NACIONALE

Qeveria demanton raportimin se e ka pranuar planin e ri për Asociacionin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ka demantuar raportimin e mediumit “Koha”, ku thuhej se është pranuar plani i ri i Bashkimit Evropian për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se titulli është i gabuar dhe i pavërtetë.

“Titulli e interpretimi i mëposhtëm, është i gabuar e i pavërtetë dhe nuk reflekton përgjigjen e dhënë nga Qeveria sot. Kryeministri Kurti ka pranuar takimin me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së. Mëtej, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve për planin e ri, i cili përfshin zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike bashkërisht me diskutimet për një draft për nenin 7 të saj. Pra, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve. Njëjtë, siç shkruhet dhe në përgjigjen e Qeverisë.” – ka thënë ai.

Më poshtë, Kadiu ka publikuar edhe përgjigjen e plotë të Qeverisë:

“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes.”

Lajme të ngjashme