“Qeveri si të Kinës”: Nga 12 ministri në 19, kapërcimi i madh i Kurtit për numër të ministrive
Kryeministri Albin Kurti me votimin e kabinetit të tij të tretë e ka shkelur edhe një zotim të tij. Derisa ishte në opozitë ai kritikonte qeveritë e më hershme për numër të madh të ministrive. Në adresimet e tij prej opozitari ai argumentonte se kabinetet e medha janë të panevoshme dhe keqpërdorim i buxhetit shtetërorë.
Prandaj, ai zotohej se me ardhjen e tij në pushtet do ta zvogëlonte numrin e ministrave. Por, me ardhjen në pushtet ai filloi shkeljen e zotimit të tij.
Në qeverinë Kurti 2, ai e reduktoi numrin e ministri në 16 sosh, por në Qeverinë Kurti 3 ai e rriti numrin në 19.
Para ardhje në pushtet, në debatin “Kallxopërnime”, Kurti kishte thënë se do të formonte qeveri me vetëm 12 ministri.
“Do të jetë një qeveri shumë më vogël. Paramendojeni kaq njerëz sa janë këtu me mua, paramendoni vetëm dy ministra më shumë dhe dy zëvendëskryeministra. Kaq do të jetë kabineti im. Po, 12 ministri është synimi i jem”, kishte thënë Kurti.
Megjithatë, këtë premtim lideri i VV-së nuk e përmbushi as në qeverinë “Kurti 1” dhe as në qeverinë “Kurti 2”.
Për më tepër, në qeverinë “Kurti 3”, e cila u votuar në Kuvend këtë javë, ai e rritin numrin e ministrive në 19, tri më shumë se në kabinetin paraprak.
Rritja e numrit të ministrive është kritikuar ashpër nga një pjesë e opozitës dhe njohësit e rrethanave politike.
Politologu Avdi Smajljaj e ka vlerësuar si të gabueshëm rritjen e numrit të ministrive në Qeverinë Kurti 3.
Ai ka bërë me dije se një gjë e tillë nuk e rrit cilësinë e qeverisjes.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se shumica e ministrave e kanë dëshmuar performancën e tyre të dobët.
“Rritet numri i ministrive, por jo edhe cilësia e ministrave/eve. 20 ministri, në shumicën e tyre ministra/e të dëshmuar me performancë të dobët. Kjo tregon a janë shtuar ministritë për përmirësim të performancës, apo për të rehatuar njerëz të partisë me taksa të qytetarëve. Ata/ato që e kanë synin me punu e me zhvillu vendin nuk ju duhen shumë ministri, dhe në ministri emërojnë kuadrot më profesionale e më të përgjegjshme që ka vendi e përtej vendit. Hajt se mirë o, nëse mundet edhe pak me u rrit paga minimale, shtesat, edhe 100shet, kaq na mjafton”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kabinetin e ri të Kurtit e ka krahasuar me atë të Kinës.
Në adresimin e tij në Kuvend, ditën që është votuar Qeveria, Tahiri ka thënë se kjo është qeveria më e madhe që ka pasur Kosova.
“Bile-bile lexova shpejt, po ashtu u habita që kjo është qeveria më e madhe, qeveria që i ka 21 ministra, zëvendëskryeministrat, pra një kabinet i përbërë prej 21 anëtarëve. Kryeministër, a e di çka kjo thotë? Kur e ke marrë mandatin, sa ministri? A e duhet të dish që ke themeluar një kabinet qeveritar i cili është i përmasave të një shteti të Kinës? Në një Kosovë me 1.7 milionë banorë. Pra, ky kabinet qeveritar nuk është asgjë tjetër përveçse atëherë model i një pushteti të marrë në mënyrë demokratike, partiak, që synim vetëm e ka të shtyjë një agjendë puro-partiake dhe politike. Këtu sot, normal që e kam fjalën për shkak se unë jam këtu në emër të grupit parlamentar të reflektoj mbi programin, mbi vizionin, mbi idetë rreth ministres se çka të bëjmë me Kosovën”, ka thënë ai.