Pyetja që po e bëjnë të gjithë: Pse nuk e qiti në votim Avni Dehari raportin? Heshtje në VV
Një pyetje sot po i përbashkon të gjithë. Analistë, shoqëri civile e gazetarë.
Pavarësisht se ishin 100 deputetë në sallë, kryesuesi Avni Dehari, deputet i VV-së, nuk e hedhi në votim raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Ai fillimisht ftoi në konsultime partitë, veprim i cili për opozitën ishte në kundërshtim me rregulloren.
Pasi u kthye nga takimi, Avni Dehari bëri diçka krejt të pazakontë.
Nuk e hudhi në votim raportin, dhe e ndërpreu sërish mbledhjen. Kjo duke e arsyetuar me mungesën e konsultimeve.
Pavarësisht se ishin në sallë 100 deputetë.
Për t’u miratuar ky raport, do të duheshin vetëm shumica e thjeshtë. Pra, shumica e deputetëve që ishin prezentë.
Pavarësisht insistimit të gazetarëve në konferencë, për këtë nuk dhanë përgjigje përfaqësuesit e Vetëvendosjes.
Gazetarja e Nacionales, Besarta Hoti i pyeti ata se a ishin në dijeni që me 52 vota, do të kalohej kjo procedurë.
Këtu, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u përgjigj:
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë unifikim të qëndrimeve të grupeve parlamentare”.
Mimoza Kusari – Lila e Alternativës po ashtu refuzoi të jepte përgjigje konkrete, duke përmendur zgjedhjet e reja.
“Shiqoni, edhe një herë, në aspektin procedural, ju lutem a ka mundësi që ta kthejmë aty ku shimica e pyetjeve janë, raporti s’u rikthye në votim për arsye se ka pasë kuorum, por ai është rrëzu me votë, për procedurën tutje duhet të deklarohet, nuk mundemi me e thënë hidheni në votim”
Ne kishim kuorum, dokumenti është rrëzu, tani nëse opozita nuk dëshiron të bisedojmë fare, atëherë po mbesim kështu, ose po drejtohemi në zgjedhje të reja” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Dimal Basha ndërkaq nuk u përgjigj fare në asnjë prej pyetjeve, duke bërtitur para gazetarëve në lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Unë mendoj që një problem është te LDK, për mosvotimin e verifikimit të mandatave, ata janë të vetmit që kemi dhënë dëshmi që kanë vjedhë vota, kanë deputet jolegjitim në këtë Kuvend, ka njerëz që janë votu e qëndrojnë jashtë.
Edhe përfaqësues nga opozita, kanë insistuar se ky raport do të duhej të hidhej në votim.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se fakti që nuk doli në votim, tregon që VV-ja s’i ka votat.
E LDK-ja, me një komunikatë për media, theksoi se pushteti nuk e respektoi rregulloren e Kuvendit.
Edhe organizata joqeveritare KDI, theksoi se ky raport do të duhej të dilte edhe sot në votim.
Kjo ishte e përcaktuar edhe me skenarin që u publikua në media, por i cili duket se nuk i bëri përshtypje pushtetit.