Pushtimi i Ukrainës nga Putin, nuk është thjesht luftë politike - është luftë e shenjtë
Vladimir Putin së pari shkon në kishë, e vë kryqin dhe pastaj vret.
Kjo është çfarë ka thënë Argjipeshkvi i Qipros për luftën e Putinit në Ukrainë. Ai pyet: A është kjo ortodoksia e Putinit?
Kjo luftë ka ndarë Kishën Ortodokse në rrafsh global. Kjo nuk është thjesht një luftë politike, është një luftë e shenjtë.
Vladimir Putin nuk mund ta ndajë Ukrainën nga “Rusia e Shenjtë”: Perandoria Ruse e dhuruar nga Zoti.
Krimea, që u aneksua nga Putin më 2014, është djep i Krishterimit Rus, ku Princi Vladimir – udhëheqës i Kievit Rus (shtet mesjetar) – u konvertua në shekullin X (dhjetë).
Një bashkësi e hershme e krishterë në Krime daton që nga shekulli i parë. Në shek. XIX (19), kur Perëndimi avokonte shumë ndarjen e kishës nga shteti, Car Nikolla i Rusisë vendosi vizionin e tij të identitetit rus, që në qendër kishte besimin: “Ortodoksi, Autokraci, Kombësi”.
Ky ngelet vizioni i Putinit sot. Kisha dhe shteti janë të pandashme. Kreu i Ortodoksisë Ruse, Patriku Kirill, e ka quajtur Putinin “mrekulli të Zotit”.
Bashkë me Putinin, Kirill e ka ringjallur idenë e “Botës Ruse”. Politologia Lena Surzhko Harned së fundmi e ka përshkruar si një mision të përbashkët të kishës dhe shtetit “bërjen e Rusisë një qendër shpirtërore, kulturore dhe politike të qytetërimit, për të kundërshtuar ideologjinë laike dhe liberale të Perëndimit”.
Kjo luftë e shenjtë është plotësisht moderne
Vladimir Putin beson se Perëndimi është dekadent (i pamoralshëm). Ai beson se Perëndimi është larguar nga Zoti dhe ai është mbrojtës i besimit. Njeriu që përshkruhet si “truri i Putinit”, njëri ndër mendimtarët më me ndikim në Rusi, Aleksandër Dugin, thotë që Perëndimi është Antikrishti.
A është Putini vërtet besimtar? Kjo nuk është pyetja. Kjo s’është personale, por politike. Kjo luftë e shenjtë s’është mesjetare, por plotësisht moderne. Ka të bëjë me një botë dinamike në lëvizje, ku besimi është kthyer nga brenda dhe, përveç simbolizmit apo ritualit, po shtyhet gjithnjë e më shumë jashtë debatit publik.
Studiuesja e religjionit dhe politikës, Jocelyne Cesari, ka hulumtuar mbi evoluimin e laicitetit modern në librin e saj, “Ne, Njerëzit e Zotit”. Kemi arritur një pikë në Europën Perëndimore, thotë ajo, ku kjo botë është gjithçka që ekziston. Ekziston një ndarje ndërmjet të qenësishmes (imanentes) dhe superiores – ndërmjet asaj që është e Cezarit dhe asaj që është e Zotit. Besimtarët, thotë Jocelyne, pritet të mbajnë superioren për vete. Ajo thotë që kombi tani është identifikimi kolektiv superior, duke tejkaluar “besnikëritë fetare”.
Në librin e tij, “Një epokë laike”, filozofi Charles Taylor thotë “Qytetërimi modern nuk mund të mos sjellë vdekjen e Zotit”. Ai thotë që ne kemi parë rritjen e një humanizmi ekskluziv dhe e kemi shkëmbyer Zotin për një kulturë të autenticitetit ose individualizmit shprehës, në të cilin njerëzit janë të inkurajuar të gjejnë rrugën e tyre, të zbulojnë plotësimin e tyre, të bëjnë gjënë e tyre.
Filozofi gjerman, Max Scheler, gjithashtu ka shkruar për të – si rrezikojmë të bëhemi të huaj ndaj njëri-tjetrit, të izoluar nga bota, të degraduar dhe depersonalizuar.
Besimi si armë
Ne, zor se merremi me besimin, në diskursin tonë publik. Kur e bëjmë një gjë të tillë, zakonisht përqendrohemi te ndonjë skandal në kishë, priftërinj abuzues, apo pyetje për moralin dhe diskriminimin. Në variantin më të keq, diskutimi reduktohet në disa personazhe vizatimore - për të lehtësuar debatin rreth tyre – si lojtari i ragbit, Israel Folau dhe porositë e tij në rrjete sociale mbi pijanecë dhe homoseksualë që shkojnë në ferr. Neve na mungojnë pyetje më të thella se si besimi mund ta formësojë ende botën tonë dhe si mund të ketë pasoja shkatërrimtare kur keqpërdoret dhe shfrytëzohet.
Cesari thotë që religjioni mbijeton në shtetin komb. Nëse kombet janë “bashkësi të imagjinuara”, ato nuk lindin nga asgjëja. Religjioni mund të përdoret si themel i identitetit. Ajo e përmend islamin politik si një shembull se si religjioni mund të shfaqet si një teknikë moderne qeveritare.
Bota islamike ka pranuar nocionet Perëndimore të shtetit modern, por besimi mbetet thelbësor në jetë publike dhe identitet.
Islami radikal shkon edhe më tej, më përpara, duke iu kundërpërgjigjur Perëndimit me sulme. Sulmet terroriste të Osama bin Laden ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 11 shtator tronditën Perëndimin nga vetëkënaqësia e tyre që bota kishte hequr dorë nga luftërat e religjionit.
Putin, në mënyrën e tij, nuk dallon shumë nga bin Laden, për të cilin besimi ishte një armë.
Bin Laden citonte kryqëtatat e shek. XI (11), kurse Putin kërkon një rikthim në idenë e shek. X (10) të Rusisë së Shenjtë. Të dy kanë reaguar ndaj botës moderne; të dy, prodhim i saj; të dy duke u përpjekur ta ribëjnë atë.
Sikur Bin Laden që reklamonte me magjepje luftën dhe shpesh fotografohej me armë, ashtu Putin ka glorifikuar historinë e luftës së Rusisë dhe simbolet e fuqisë së saj ushtarake.
Përsëri, kisha është qendrore. Priftërinjtë ortodoksë rusë bekojnë armët bërthamore. Ortodoksia Ruse ka versionin e vet të xhihadit, që njihet si podvig – një flijim shpirtëror. Siç thotë dhe Cesari, podvig definon luftërat që kanë zënë vend në Rusi nga 1300 gjer në Luftën e Dytë Botërore dhe luftërat në Çeçeni.
Religjioni si identitet mund të jetë vdekjeprurës
Në vitin 2020, Patriku Kirill ka celebruar një liturgji në një katedrale të Forcave të Armatosura Ruse në Moskë. Është njëra ndër katedralet më të larta në Rusi. E ndërtuar në Parkun e Patriotëve, katedrala është e stolisur me pamje të armëve dhe feston luftërat ruse.

Ajo është kritikuar mbi bazën se është më shumë një kult i fitores se një altar i Krishtit.
Përderisa qindra priftërinj kanë nënshkruar një letër, me të cilën kundërshtohet brutaliteti në Ukrainë, Patriku Kirill e sheh luftën e Putinit si një kryqëzatë. Ai flet për mbretërinë dhe priftërinë, atë që e quan “konjugim (bashkim) simfonik të Kishës dhe Shtetit”.
Patriku Kirill është, ashtu si Putin, një mbrojtës i vlerave tradicionale. Ai ka mbështetur goditjen e Putinit kundër homoseksualitetit dhe ndikimeve kulturore të Perëndimit.

Perëndimi është një armik, argumenton Cesari. Andaj, qëllimi i tij është ta kundërshtojë projektin imperalist Perëndimor. Edhe këtu, thotë Cesari, vërehen jehona të islamit radikal dhe thirrjes globale për luftë: Putin i thërret të gjithë të krishterët përtej Rusisë në mënyra që i bëjnë jehonë thirrjes së grupeve radikale islamike për t’iu bashkuar umetit luftarak.
Nuk është e mundur të kuptohet lufta në Ukrainë pa u kuptuar mënyra se si besimi është shndërruar në armë. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për Putin, Osama bin Laden, Shteti Islamik (ISIS) etj., religjioni si një idenditet mund të jetë vdekjeprurës.
Perëndimi laik duhet të ekzaminojë edhe mënyrën se si e ka zvogëluar besimin dhe madje është tallur me të; e ka zhvendosur besimin në sferën e personales dhe është krijuar një zbrazëti politike dhe shpirtërore, që të tjerët kërkojnë ta shfrytëzojnë.
Media kryesore në Perëndim, që rrallë merren me religjionin, e paraqesin botën shpesh si duale – e mira dhe e keqja – terma, të cilat dështojnë të shohin se si luftërat e shenjta moderne janë prodhim i vetë laicitetit dhe reagim ndaj tij.
Lufta e shenjtë e Putinit i shkel mësimet e mëdha të besimit: paqen, mëshirën, dhembshurinë, faljen.
Viktor Hygo ka shkruar: “Për gjashtë mijë vite, lufta i ka kënaqur njerëzit grindavecë dhe Zoti ka humbur kohën duke krijuar yjet dhe lulet.”. Por, mbase ai e ka pasur gabim. Zoti shpesh shihet në krye të ushtrive.
Shkrim nga Stan Grant, publikuar në ABC News.