Pushteti e pranon kërkesën e opozitës: Seanca për buxhetin shtyhet për të hënën në ora 10:00
Shumica parlamentare është pajtuar me kërkesën e opozitës që seanca për shqyrtimin e Projektbuxhetit për vitin 2026 të shtyhen.
Kjo kërkese është realizuar vetëm pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk e kanë përkrahur propozimin e VV-së që ky projektligj të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.
Meqenëse përshpejtimi i procedurës kërkonte dy të tretat e votave, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar konsultime me shefat e grupeve parlamentare.
Pas konsultimeve, ajo ka bërë me dije se janë pajtuar që kjo seancë të shtyhet për të hënën.
“Pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare, kjo seancë shtyhet për të hënën në orën 10. Pra, leximi i parë i projektligjit për buxhetin është të hënë në orën 10. Faleminderit”, ka thënë Haxhiu.
Ky vendim ka ardhur pas një debati në mes përfaqësuesve të pushtetit dhe të opozitës.
Fillimisht, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar tri ditë kohë për të analizuar këtë dokument.
“Sot nuk e përkrahim këtë propozim. Na nevojitet kohë, minimumi 3 ditë, që të gjithë deputetët të kenë mundësi të analizojnë”, është shprehur ai.
Më pas, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se as partia e tij nuk e përkrah shmangien e procedurës për miratimin e Projektbuxhetit për vitin 2026.
“Nuk është serioze që për tri orë ta rishikojmë tërë buxhetin. Ky buxhet nuk e reflekton as këtë qeveri. Katër apo pesë ministri nuk kanë buxhet për veti. S’po flasim për zotimet e pardjeshme (të Kurtit) që thoshte do të bëhet kjo e ajo, që s’janë fare në buxhet, por katër ministri këtu nuk e kanë buxhetin e parashikuar”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të bëhet më serioze.
“Bëhuni më serioz. Jepuni kohë deputetëve ta lexojnë tri-katër ditë. Përshtateni me kabinetin tuaj fillimisht. Përshtateni me komunat. Prishtina e ka miratuar buxhetin qe sa kohë, por ju nuk e keni në buxhet. Është mirë me qenë edhe zoti i shtëpisë këtu, kryeministri. Merreni me seriozitet. Katër ministri është dashur të dalin këtu se ky buxhet nuk është në rregull”, është shprehur Abdixhiku.
Shtyrjen e kishte kërkuar edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Nuk ka asnjë urgjencë, sepse ne dje e kemi miratuar vazhdimin e ndarjes buxhetore për funksionimin e shtetit të Kosovës. Qysh ka mundësi një deputet… duhet me kanë supërmen me analizu buxhetin e Kosovës tabelë për tabelë të vitit 2026, ja nisa me lexu në zyren time, dhe pashë që shumë me u debatu. Ky është buxhet i vitit të kaluar, vetëm në tekst kanë bërë ndryshime, ndërsa vijat buxhetore janë të njëjta”, ka thënë Tahiri.
Kurse, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar pse qeveria po dëshiron miratimin e buxhetit për këtë vit me procedurë të shpejt.
“Synimi ishte një buxhet emergjence, ta kemi një urë lidhëse derisa ta miratojmë një buxhet të rishikuar, më së largu muajin e ardhshëm. Zgjatja buxhetore për muajin mars siguron vetëm shpenzimet rrjedhëse. Çdo prokurim i ri i komunave është i bllokuar pa u miratua buxheti”, ka thënë Murati në Kuvend.