Pushteti e mbron lajmin e rrejshëm të RTK-së, sulmon mediat dhe ik nga seanca - NACIONALE

Pushteti e mbron lajmin e rrejshëm të RTK-së, sulmon mediat dhe ik nga seanca

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pushteti i Vetëvendosjes, indirekt, edhe sot ka konfirmuar se qëndron prapa skandalit me lajmin e rrejshëm të RTK-së. Lajm i cili e akuzoi Nacionalen dhe Periskopin se financohen nga Serbia, duke transmetuar një prodhim nga Slobodna Bosna, një portal i panjohur në Bosnje e Hercegovinë.

Në fakt, pushteti me përfaqësuesin e vet, Valon Ramadanin, e mbrojti fuqishëm lajmin e rrejshëm të RTK-së. Ramadani edhe pse kryetar i Komisionit për Media, e mbrojti një lajm i cili është vlerësuar joprofesional nga komisioni brenda RTK-së, nga Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Komisioni i Pavarur për Media.

Valon Ramadani në seancën e sotme, vetëm sa e trashi sulmin ndaj mediave në Kosovë.

“Kërkesën e kanë për një lajm që ka transmetuar RTK nga një medium i huaj i cili hedh dyshime mbi financat e disa mediave në Kosovë. Që transparenca e financave të mediave përbën shqetësim këtë e ka thënë edhe Raporti i Progresit të BE-së. Dyshimet mbi financimin e mediave nuk janë ‘Fake News’ por shqetësim real”, ka thënë Ramadani.

“Në këtë kohë kur Rusia po bën luftë reale dhe hibride në Ukrainë ne nuk e kemi lluksin të jemi demokratik me financimin me origjinë ruse ose serbe. Brenga këtu e PDK-së është se pikërisht janë përmendur mediume që ua mbajnë vijën dhe ua shtyjnë politikat e tyre”, ka thënë Ramadani.

Reagime të ashpra ka pasur nga opozita. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e quajti margaritar fjalimin e Valon Ramadanit. Ai theksoi se RTK-ja me lajmin e rrejshëm, ua ka cenuar sigurinë 60 gazetarëve në Kosovë.

“Anëtarët e Bordit që kanë dhënë dorëheqje janë në detyrë. Këta gjithë ditën e kisha lane me fol, këtë margaritar. Anëtarët e Bordit duhet me u shkarku, ne si opozitë e dime se nuk i kemi numrat, por është përgjegjësi e pushtetit. Por të njëjtit nuk i kemi parë të arsyeshme të mos reagojnë për ato skandalet që kanë ndodhur dhe që kanë rrezikuar jetën e 60 gazetarëve në vendin tone. Qysh i ndërpret seancat kur flet opozita, kur është kryeministri përparësi ka kryeministri e jo Kuvendi, RTK-ja është institucion i themeluar me Ligj prej Kuvendit. Përderisa jemi republikë parlamentare, Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i rëndësishëm në vendin tone”, tha Tahiri, raporton Nacionale.

“E thotë vet drejtori i TV në RTK, që e involvon AKI-në në këtë lajm të tillë. Kjo ka ardhur nga pushteti. Çka ndodh më tutje, AKI-në e kemi të involuar në pretendimet e gazetarëve të tjerë që janë kritikë ndaj abuzimeve të pushtetit. Sot nuk e kemi të qartë nëse agjentët e AKI-së janë të involuar në përcjelljen e gazetarëve, dhe prodhimin e këtij lajmi që ua ka rrezikuar jetën 60 gazetarëve. Këtyre pretendimeve duhet me ua vendosur kapakun, vetëm një hetim i thellë mbi punën e AKI-së”, tha ai.

Përgjegjësi nga RTK-ja për lajmin e rrejshëm kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Ky institucon shkoi edhe më tej. Prodhuan informacione të rrejshme kundër kolegëve të tyre, këto informacione u shpërndanë në emër të një institucioni me rëndësi vitale, në emër të AKI-së. Ky problem i shkaktuar nga kjo qasje, i bazuar në mentalitetin e kapjes, prodhimit të informacionit të pavërtetë, ka rrezikuar jetën e qytetarëve të Kosovës, si gazetar të Kosovës, ka helmuar ambientin politik në Kosovë. Është e rrezikshme për qytetarët e Kosovës. Si mund të lejohet që AKI-ja të përdoret në interes të një grupi politik”, tha Arben Gashi.

“Këtu nuk ndalet ambicia e pushtetit për kontroll të informacionet. Në mbledhjen e fundit të Bordit pa pasur kuorum e ndryshuan statutin. Paligjshmëria ka përmasa të frikshme, përmasa të kontrollit të informacionit e programacionit të RTK-së. Nuk ka ekskluzivitet vetëm në një TV, RTK është njëri prej institucioneve që prodhon informacion, përgjegjësia e tij është më e veçantë sepse është institucion publik”, tha më tutje ai.

Se lajmi i RTK-së ka rrezikuar gazetarët e Nacionales dhe Periskopit, e tha edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri në Kuvendin e Kosovës ka thënë se po minohet shteti, duke mos respektuar fjalën e lirë dhe sulmet ndaj gazetarëve si dhe lajmin e rrejshëm të RTK-së kundër Nacionales.

“Ka të bëjë me minimin e shtetit. Një shtet e bën të lirë dhe demoratike vetëm atëherë kur fjala e lirë repsketohet dhe transmetohet përmes mediave e në veçanti nga TV publik.

“Është e papranushme që lajmi i rrejshëm bëhen normë në një institucion të pavarur të publikut, RTK. Lajmi i rrejshëm për hirë të së vërtetës ka mund të rrezikojë gazetarë që përfaqësojnë mediume të ndryshme të cilët për një kohë të gjatë ishin pjesë e linçimit publik.

Nuk ka as emer as mbiemer përveç minimin e shtetit të Kosovës.” – ka thënë ai ndër të tjera, duke shtuar edhe përfshirjen e AKI-së në këtë rast.

Ai ka përmendur se Qeveria Kurti funksion me logjikën “parti shtet”, kur ka vendosur të shkarkojë Bordin e RTK-së.

Sulmi dhe sulmet e njëpasnjëshme që ju bëhen institucioneve të pavarura” – ishte tema tjetër që sipas Tahirit VV-ja vazhdon t’i bëjë.

Lajme të ngjashme