“Punëtorët vijnë me pizhame e miniqa”: Sindikata e RTK-së kërkon largimin e kryetarit të Bordit Besnik Boletini - NACIONALE

“Punëtorët vijnë me pizhame e miniqa”: Sindikata e RTK-së kërkon largimin e kryetarit të Bordit Besnik Boletini

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sindikata e Pavarur e RTK-së ka bërë një reagim publik, në të cilin ka denoncuar gjuhën seksiste që sipas tyre e ka përdorur kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Në reagimin e tyre, ata kanë theksuar se Boletini ka deklaruar se punetorët e RTK-së shfaqen në punë me pizhame e minifunde.

“Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër kundër deklaratës skandaloze të kryetarit të Bordit Besnik Boletini për punëtorët e RTK-së. Në takimin e Bordit të mbajtur me datë 6 shtator 2023, në praninë e vëzhgueses së Sindikatës si dhe të gazetares së BIRN-it, kryetari Besnik Boletini ka deklaruar:

“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”.” – thuhet në reagim.

Përmes reagimit të tyre, Sindikata e Pavarur e RTK-së ka kërkuar dorëheqjen e Boletinit.

“Pas këtyre veprimeve të njëpasnjëshme, skandaloze, Sindikata kërkon nga Kryetari, Besnik Boletini që menjëherë ta lirojë postin e kryetarit të Bordit.

Në të kundërtën ne si Sindikatë do të ndërmarrim veprime radikale ligjore, përfshirë protestat dhe grevën.” – thuhet tutje në reagim.

Lajme të ngjashme