Punëtorët e RTK-së ngrenë alarmin në BE për krizën financiare dhe mungesën e pagave
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka ngritur alarmin në instancat më të larta evropiane, duke u drejtuar me letra zyrtare për të shpjeguar krizën e rëndë financiare që ka paralizuar punën e televizionit publik.
Letrat janë dërguar te kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, te presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si edhe te eurodeputetja Viola von Cramon, e cila mbulon dosjen e Kosovës. Sindikata ka paraqitur qartë situatën alarmante në RTK, ku punonjësit kanë hyrë në prag të dhjetorit pa marrë pagat e tyre.
“Në këto komunikime, ne i kemi informuar me përpikëri për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor” thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Aty më tej shprehet shqetësimi ky vonim përbën shkelje të rëndë të të drejtave të punës dhe të standardeve bazike që mbrohen si nga legjislacioni vendor, ashtu edhe nga parimet evropiane të marrëdhënieve të punës.
“Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre” , shkruan Sindikata.
Për të shprehur pakënaqësinë dhe për të bërë presion ndaj institucioneve që, sipas tyre, kanë lënë situatën të degradojë, sindikata ka paralajmëruar një grevë një-orëshe të hënën në orën 11:00, e cila do të zhvillohet në oborrin e RTK-së.
Në reagimin e tyre, përfaqësuesit sindikalë shprehen se gjendja aktuale është e paarsyeshme dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet që kanë përgjegjësi ligjore dhe buxhetore për funksionimin e transmetuesit publik.
“Ftojmë të gjithë kolegët që ta pezullojnë punën për një orë në të gjitha njësitë e RTK-së, si akt simbolik dhe i vendosur për të kërkuar drejtësi dhe pagesa të rregullta. Si Sindikatë, ne ripërsërisim se situata është e papranueshme. Kërkojmë masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe që shërbimi publik medial të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme” deklaron Sindikata.