Psikologët e neuropsikiatrit paralajmërojnë kosovarët për skenat e luftës
Lufta në Ukrainë pritet që të ketë pasoja jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën. Krahas dëmeve materiale, pasojat me të mëdha nga lufta atje, pritet të jenë në shëndetin mendor. E sidomos për kosovarët. Kështu po deklarojnë psikologë e neuropsikiatër të ndryshëm.
Depresioni, ankthi, stresi post traumartik, “lufta për mbijetesë”, janë vetëm disa nga pasojat të cilat lë pas secila luftë.
Lufta e fundit në Kosovë ka trashëguar pasoja të ndryshme psikike te popullata e cila ka marrë një kohë të gjatë për të tejkaluar, por jo harruar atë.
Sami Rexhepi, drejtor dhe neuropsikiatër në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë thekson se lufta në Ukrainë rikthen mendimet e kosovarëve në më shumë se dy dekada prapa.
“Do t’i rikthejë kujtimet e situatës sonë. Atyre që kanë qenë të dëbuar nga shtëpitë. Ata që kanë qenë nëpër fusha, ata që i kanë përjetuar shkatërrimet masive siç, sot po i shohim në Ukrainë. Atyre iu rikthehen të gjitha ato kujtime dhe ndihen shumë, shumë të pafuqishëm. Ata që s’kanë qenë në zona të luftës, por kanë qenë të dëbuar në kolonë, ata, e përjetojnë njëjtë kur e shohin stacionin hekurudhor, autobusët, njerëzit duke pritë, me gjësende elementare në dorë. I rikthen komplet ato ngjarje. Thjesht nuk janë shumë 20 vite. Janë shumë pak”, - argumenton Rexhepi.
Ai thotë se pavarësisht profesionit si neuropsikiatër, as vetë nuk ka mundur të qëndrojë indiferent karshi luftës në Ukrainë.
“Unë duke e parë TV-në ku pasqyrohej kolona, e shihja edhe veten time në stacionin hekurudhor në Prishtinë, kur jemi dëbuar nga shtëpia. Unë si mjek kam punuar edhe në kamp në Maqedoni. E di se qysh Jazhinca ka qenë plotë, e Bllaca. Në TV, unë e shihja që po flet për Ukrainën, por në fakt unë e përjetoja Bllacën, në kolonë, në tren. Të gjitha ato janë rikthye, dhe normalisht që gjendja emocionale përkeqësohet. Stresi rikthehet. Stresi post-traumatik që unë e kam përjetuar në atë kohë, me luftën e Ukrainës më është rikthyer i njëjti. Normalisht që nuk mundem me qenë indiferent ndaj kësaj dhe mos me pasë impakt në përditshmërinë time, sjelljet e mia”, - rrëfehet Rexhepi.

Kosovarët tremben nga përsëritja e mundshme e asaj që e kanë përjetuar
Lejla Cana, psikologe, thekson se kosovarët në aspektin psikik tremben nga përsëritja e mundshme e asaj që kanë përjetuar.
“Pasojat e luftës ende kanë mbetur te shumica e tyre të cilat ngjarjet e jashtme i ndiejnë dhe i përjetojnë menjëherë duke e lidhur me tragjeditë nga e kaluara që krijojnë një pasiguri dhe frikë që ato mund të kthehen përsëri. Rasti i fundit i luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, një aleate e ngushtë e Serbisë, ka shqetësuar kosovarët duke i rikujtuar luftën, në anën tjetër të brengosur dhe të trembur nga përsëritja e saj pasi që raportet e Kosovës me Serbinë nuk janë paqësore dhe një rrezik i një lufte tjetër qëndron në mendjet e qytetarëve nga Kosova”, thotë ajo.
E luftën më së shumti e përjetojnë ata të cilët kanë qenë dëshmitarë të stresit të vazhdueshëm apo “luftës për mbijetesë”, ashtu siç e quan psikologia klinike Naile Rrustolli.
Sipas saj, fillimi i luftës në Ukrainë mund të ketë impakt në rikujtimin e gjendjes traumatike të cilën e kanë shmangur si rezultat i vështirësisë për ta kujtuar, ankth dhe frikë nga përsëritja e përjetimeve identike nëse do të fillojë ndonjë luftë prapë, gjë që ulë kualitetin e jetës dhe pengon aktivitetet e jetës së përditshme.
“Pikërisht përjetimi i stresit post-traumatik (PTSD) është një gjendje e shëndetit mendor që shkaktohet nga një ngjarje e tmerrshme, nga përjetimi ose të qenit dëshmitar i asaj ngjarjeje, është ajo që edhe pas luftës shumë kosovarë e përjetojnë ende si rezultat i ngjarjeve të përjetuara gjatë luftës ose thjesht të qenit dëshmitarë të atyre ngjarjeve traumatike”, - thotë ajo.
Por cilat janë mënyrat nga të cilat kosovarët mund ta përjetojnë më lehtë luftën në Ukrainë sipas psikologëve?
Psikologët theksojnë se ballafaqimi me të kaluarën është çelësi.
“Pas përjetimit të ngjarjeve traumatike shumë njerëz e kanë të pamundur t’i ndalojnë mendimet për atë që ka ndodhur, prandaj ballafaqimi me të kaluarën është hapi i parë në të cilin duhet të fokusohen. Marrja e ndihmës dhe mbështetjes në kohë mund të parandalojë reagime të stresit të cilat mund të shkaktojnë çrregullime. Bisedat lidhur me ngjarjet traumatike, marrja e këshillave dhe programet e vetë-ndihmës i ndihmojnë në minimizimin e simptomave pas traumës. Në rast se simptomat në lidhje me atë përjetim janë me intensitet të lartë, rekomandohet të konsultohen profesionistë të shëndetit mendor”, - deklaron psikologe, Lejla Cana.
Neuropsikiatri, Sami Rexhepi thekson se për të gjitha përjetimet që lidhen me skenat nga lufta e Ukrainës, kosovarët duhet të flasin.
“Ne duhet të flasim për këto gjëra. Për këto përjetime. Nuk duhet me ikë me idenë që s’dua ta kujtoj. Thjesht duhet të flasim me dëshirën që nuk duam më që ta përjetojmë.”
Një studim i realizuar në Kosovë nga katër autorë (Shahini, Rescorla, Shala dhe Ukshini) në 2016 kishte për qëllim të eksploronte efektet e ekspozimit traumatik të luftës në problemet emocionale dhe të sjelljes në një mostër të veteranëve kosovarë të luftës dhe grave të veteranëve 16 vjet pas luftës 1998-1999, si dhe nëse niveli i arsimimit, të ardhurave, mirëqenia dhe përdorimi i substancave ishin parashikues për problemet emocionale dhe të sjelljes.
Nga studimi u gjet një prevalencë e çrregullimit të stresit posttraumatik (PTSD) prej 11.2% te veteranët kosovarë të luftës, 8 vjet pas konfliktit.
Një studim tjetër, i cili hulumtoi rezultatin afatgjatë të shëndetit mendor në Kosovë 8 vjet pas luftës në Ballkan, gjeti një prevalencë prej 33% për PTSD ose episod depresiv madhor./Nacionale.com/