Pse Vetëvendosje vetëvendosi kundër hetimit të çmimit të fryrë të rrymës?  - NACIONALE

Pse Vetëvendosje vetëvendosi kundër hetimit të çmimit të fryrë të rrymës? 

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër propozimit të Grupit Parlamentar të PDK-së për formimin e Komisionit Hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës. 23 deputetë votuan në favor të formimit të komisionit hetimor dhe 50 kundër.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje votoi kundër, ndërsa as të gjithë deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim, ani pse kryetarët e grupeve parlamentare të LDK-së dhe AAK-së e mbështetën votimin dhe thanë se ky komision është shumë i rëndësishëm.

Arben Gashi e pa të rëndësisë së madhe hetimin e çdo institucioni që është i përfshirë në shtrenjtimin e rrymës. Ai argumentoi që hetimi duhej të fillonte nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për veprim ose mos-veprim në kohën e duhur.

Domosdoshmëri e cilësoi komisionin hetimor edhe Besnik Tahiri nga AAK-ja.

Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate thotë për Nacionalen se dështimi i votimit të Komisionit Hetimor është lajm i keq, pasi partia që ka pushtetin po mundohet të fshehë procesin e vendimit për shtrenjtim të energjisë elektrike si dhe vetë ardhjen tek ky vendim.

“Kjo shumicë, ka marrë më së shumti deputetë në histori të zgjedhjeve, duke premtuar transparencë dhe llogaridhënie”, thotë Nushi që vazhdon ta akuzojë Vetëvendosjen se po e bën të kundërtën.

“Në momentin e parë kur po u kërkohet të hapen dokumentet dhe të japin përgjegjësi për menaxhimin e krizës energjetike, rritjen e çmimit të rrymës, ndarjen e 140 milionë eurove për KEDS, këta e përdorën këtë shumicë për ta pamundësuar hetimin parlamentar. Dyshimet tashmë ekzistuese vetëm sa po rriten”, thotë Nushi më tej për Nacionalen.

Në anën tjetër, iniciuesi i kërkesës për themelimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me krizën energjetike në Kosovë, Abelard Tahiri, në konferencë për media para Kuvendit të Kosovës tha se votimi i sotëm i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes është dëshmi se diçka ka ndodhur me gjithë procesin e ndarjes së mjeteve financiare dhe me të cilat tentohej të menaxhohej kriza energjetike.

“Konsiderojmë se gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhë keqpërdorime dhe tashmë [me votimin kundër të VV-së] po dalin në dritë mundësitë për keqpërdorime me mjetet financiare të ndara nga Qeveria e Kosovës”, tha kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri akuzoi qeverinë se po u ik hetimeve dhe transparencës dhe kjo s’ka ndodhur më herët.

“Nga dy dekada prej që është themelu Kuvendi i Kosovës, kjo është hera e pare që një parti politike bllokon themelimin e një komisioni hetimor. Asnjëherë në të kaluarën, asnjë grup parlamentar nuk ka ndodhur që të refuzojë hedhjen në dritë të çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm”, thuhet në reagimin e Tahirit.

Ndër tjera, ai akuzoi qeverinë se bëhet fjalë për shifër të madhe të mjeteve financiare dhe se për këtë me çdo kusht duhet të nisin hetimet.

“Nga taksat e kosovarëve janë shpenzuar rreth 200 milionë euro. Kërkesa e partive opozitare ishte që të hidhet dritë mbi shpenzimin e këtyre taksave të qytetarëve: Si janë menaxhuar?; ku kanë shkuar mejtet?; kush ka përfituar nga ato?; cilat kanë qenë kompanitë që kanë blerë rrymë në emër të Kosovës?”, insiston përfaqësuesi i partisë më të madhe opozitare në Kuvend.

Tahiri thotë se tashmë ka hapur debat dhe dyshime për një aferë të madhe korruptive dhe sot me vota janë munduar të ndalojnë hetimin.

“Mirëpo, opozita ka në dorë edhe mekanizma tjerë: siç e dini ligji hetimor i lejon opozitës që të themelojë një komision hetimor me 40 nënshkrime. Prandaj si grup parlamentar I PDK-se do të inicojmë shumë shpejt”, tha Tahiri.

Ndërsa, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tha se deputetët e VV-së kanë ardhur në Kuvend të përgatitur të votojnë formimin e komisionit hetimor. Por se, sipas saj, dakordimi ishte që ky komision të shkonte pa paragjjykime, për arsye se cfarëdo pyetje apo shqetësim që kishte opozita që është dorëzuar për komisionin hetimor parlamentar të mbetet subjekt i trajtimit të komisionit.

“Megjithatë, prapë u fillua me diskutime e paragjykime. Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes vendosi që sot të mos mbështesë formimin e këtij komisioni hetimor”, tha Kusari në konferencën e sotme për media.

Lajme të ngjashme