Pse u zhduk presidentja Vjosa Osmani?
Nëse nisemi me veturë për në Ukrainë, do të mbërrijmë veç për 20 orë e 11 minuta. Atje po ndodhin bombardime, granatime, beteja frontale, vrasje dhe shumë tmerre tjera që përbëjnë luftën. E lufta, ani pse na dukej si një fjalë që e lamë në të shkuarën një herë e mirë, tash po na shfaqet si kryefjalë e krejt gazetave prestigjioze të dynjasë.
E ndërkohë, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar pas moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit nga Qeveria Kurti II.
Qytetarët tanë serbë të indinjuar – e të nxitur në indinjatë nga Beogradi - dolën në protesta sot për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Ndërkohë, Lista Serbe po kërcënon me dalje nga të gjitha institucionet kosovare.
Në gjithë këtë hallakamë të rrezikshme ku përsëri nuk u pyetën miqtë ndërkombëtarë të shtetit tonë, mungon presidentja e Republikës së Kosovës.
Ajo nuk ka bërë ndonjë paraqitje publike nga data 21 mars, pra që katër ditë, ndërkohë që tashmë ka udhëtuar për në Katar për të marrë pjesë në një forum.
Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu nuk i ka kthyer përgjigje as gazetës Nacionale në disa pyetje të shtruara derisa qytetarët të cilët e kanë votuar nuk e dinë ende saktë qëndrimin e saj pas krizës së krijuar.
Në të kaluarën jo shumë të largët, Osmani-Sadriu ka mbrojtur me fanatizëm aleancat e krijuara me shumë mund nga vendi ynë, specifikisht ato me vendet e QUINT-it, dhe edhe më specifikisht atë me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë.
E ambasadorët e QUINT-i nuk janë përfillur në kërkesën e tyre që të gjendej një zgjidhje për zgjedhjet serbe të 3 prillit në mënyrë që të shmangej çfarëdo alibie për tensione. Kryeministri Albin Kurti po kërkon që qeveria e Serbisë të bëjë një kërkesë dhe të njohë Pavarësinë e Kosovës.
Ndërmjetësuesi i dialogut nga Bashkimi Evropian, Mirosllav Lajçak, ishte shprehur gjatë ditës së djeshme se nëse komunikimi mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte normal, pra nëse do të ishte ndër-shtetëror, atëherë nuk do të kishte kurrfarë nevoje për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve. A s’është kjo e vërtetë?
“Përderisa ne e vlerësojmë qasjen e Serbisë për të gjetur zgjidhje, me zhgënjim të madh ne shohin vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga Quint-i”, ishte ndërkohë reagimi i ambasadorëve.
Kosova kritikohej edhe se ka dështuar “të demonstrojë përkushtim për parimin e mbrojtjes së të drejtave qytetare dhe politike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe anëtarët e grupeve të minoriteteve.”
Kjo është një ndër akuzat më të rënda që mund t’i bëhej shtetit tonë në këtë situatë që e dobëson ndjeshëm kredibilitetin dhe pozicionin tonë para aleatëve më të mëdhenj.
Çka mendon presidentja e vendit për këto akuza?
Askush nuk e di sepse ajo nuk është deklaruar.
Për më keq, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu që në letër është përfaqësuese e të gjitha komuniteteve etnike të vendit, nuk ka bërë asgjë për të penguar ndikimin e vazhdueshëm të drejtpërdrejtë të Serbisë mbi minoritetin serb në Kosovë.
Një adresim duket i domosdoshëm jo vetëm për komunitetin shqiptar – që të mos bëhet viktimë e nxitjes së provokimeve – por edhe për komunitetin serb në mënyrë që të ftohen gjakrat e të ulen tensionet e tyre.
Në një opinion të botuar në The Economist e të përkthyer nga gazeta Nacionale, ishte vetë presidentja që shprehte me të drejtë frikën se presidenti i Serbisë mund të shfrytëzonte situatën e re të krijuar pas luftës në Ukrainë për të provokuar tensione. Pse po i japim Vuçiqit atë mundësi?