Pse Opozita është e bindur që VV-ja është korruptuar me 100 milionët e energjisë - NACIONALE

Pse Opozita është e bindur që VV-ja është korruptuar me 100 milionët e energjisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Refuzimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të votuar mocionin e opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike, po shihet me dyshime të mëdha nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.

Kjo ka bërë që subjektet opozitare kanë braktisur seancën e Kuvendit, duke vlerësuar se nuk do të kthehen në këtë institucion derisa te themelohet komisioni i iniciuar prej tyre.

Liderët e këtyre partive janë shprehur të bindur se duke mos e votuar formimin e këtij komisioni, partia në pushtet po fsheh diçka rreth 100 milionë eurove që janë dhënë nga qeveria për subvencionimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Pasi kanë braktisur seancën e kuvendit, ata kanë vlerësuar se tentimi i LVV-së për ta ndalur themelimin e këtij komisioni është kundërkushtetues.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e di se çfarë po fshehin deputetët e pozitës, të cilët po e kundërshtojnë themelimin e një komisioni të tillë.

“Çka po fshehin nga opinioni publik deputetët që po kundërshtojnë themelimin e Komisionit Hetimor për krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve që doli se është e kundërligjshme? Çfarë po fsheh Kurti në faljen e mbi 100 milionë eurove nga taksat e qytetarëve të Kosovës, borxhe të rrymës në veri? Cila është arsyeja për bllokimin për themelimin e këtij Komisioni Hetimor Parlamentar, gjë që nuk ka ndodhur deri më sot?”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje sot në Kuvend është një precedent i rrezikshëm i demokracisë në vendin tonë, por ka thënë se PDK-ja garanton se ky proces mund të vonohet, por nuk mund të ndalohet.

“Pushteti i sotëm i Albin Kurti, këtë proces mund ta vonojë, por ju siguroj se nuk do të mund ta ndalojë, pasi që ju siguroj se ky hetim do të kryhet dhe nuk do të heshten veprimet e kundërligjshme të kësaj Qeverie”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se deri në votimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, PDK-ja nuk do të votojë asnjë pikë të rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës, por se ka thënë se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seanca.

Edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mendon se me refuzimin e këtij komisioni LVV-ja po i frikësohet zbardhjes së të vërtetës.

“Mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike - një kërkesë legjitime e jona për zbardhjen e së vërtetës mbi shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione e shtrenjtimit të faturave energjetike deri në 100%. Pjesë e hetimit do të ishin edhe punësimet nepotike në KEK. Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, sjellja e mazhorancës për të parandaluar ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Kuvendit mbi Qeverinë, është praktikë kundërkushtetuese.

“Kemi qenë konstruktiv në secilën nismë; kemi qenë mbështetës në secilin interes. Kjo sjellje e jona duket se është marrë si e mirëqenë. Sot, s’ka interes tjetër më madhor se sa hetimi i shtrenjtimit enorm të faturave që prekin secilën shtëpi e familje në Kosovë - e zbardhja e fatit të qindra milionave të shpërndara si subvencion. Kushdo që frigohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë. Prandaj, pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë - asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të marrë mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai.

Po aq i vendosur është shprehur edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka bërë me dije se subjekti i tij politik nuk do të marrë pjesë në asnjë seancë pa u votuar themelimi i këtij komisioni.

“Vendi ka hyrë në një krizë të thellë sociale nga rritja enorme e çmimeve. Jemi dëshmitarë që sot ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Qeveria e pengoi parlamentin që ta votojë themelimin një komision hetimor për energjinë për shpenzimet në subvencionimin e sektorit të energjisë. Dihet mirëfilli që dhjetëra milionë janë paguar për rrymën e vjedhur në veri të vendit. Për këto arsye dhe shumë të tjera Grupi Parlamentar i AAK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë votim deri në themelimin e këtij Komisioni”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për medie.

VV-ja fajëson opozitën

Ushtruesja e detyrës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka mohuar pretendimet e opozitës. Në një konferencë për medie, ajo ka fajësuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-së se këtë komision kanë tentuar ta themelojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas saj, opozita kishte bërë shkelje ligjore, pasi nënshkruesit e kërkesës për këtë çështje, nuk mund ta kryesojnë komisionin hetimor.

“Sot është hera e dytë me radhë që PDK, LDK, AAK, Lista Srpska në kundërshtim me ligjin provojnë ta formojnë komisionin për hetim parlamentar për masat e ndërmarra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është i gatshëm ta mbështesë këtë komision hetimor apo çfarëdo komisioni tjetër hetimor dhe në lidhje me cilëndo sekuencë të qeverisjes tonë, por, jemi që kjo të bëhet sipas ligjit dhe duke respektuar rregullat”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, deputetët e pushtetit nuk mund t’ia bëjnë numrat opozitës.

“VV-ja nuk ka asgjë kundër në raport me kërkesat për një hetim parlamentar për masat e marra në sektorin e energjisë. Ne s’mund t’ia bëjmë numrat opozitës e as të pranojmë etiketime dhe fyerje e paragjykime sesi duke është sjellë”, është shprehur ajo në një konferencë për medie.

Në seancën e sotme plenare, Kuvendi ka dështuar që të votonte kërkesën e tri partive opozitare që të votohej për një mocion procedural që të futej në rend dite pika e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike.

Nisma për formimin e këtij komisioni është nënshkruar nga 40 deputetë të opozitës, duke përfshirë edhe disa deputetë të Listës Serbe.

Komisionit Hetimor Parlamentar synon të të hetojë shpenzimin e 100 milionë eurove që Qeveria i ka ndarë për subvencionimin e shtrenjtimit të faturave energjetike. Gjithashtu, pritet të hetojë punësimet në konkursin e fundit të KEK-ut, ku është raportuar për punësime masive të aktivistëve të LVV-së.

Lajme të ngjashme