Pse Gjykata Supreme shfuqizoi dispozita të Statutit të Universitetit të Prishtinës
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses B. P. i përfaqësuar nga avokati Petrit Dedaj, kundër Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke shpallur të paligjshme dhe duke shfuqizuar disa dispozita të Statutit dhe Rregullores së këtij institucioni.
Me aktgjykimin e saj, Gjykata ka vendosur shfuqizimin e nenit 153 paragrafët 3 dhe 4 të Statutit të Universitetit të Prishtinës, si dhe nenit 7 paragrafi 6 të Rregullores për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm. Këto dispozita parashihnin ndalim automatik për emërim apo angazhim të kandidatëve që kishin familjarë të punësuar në të njëjtën njësi akademike, me arsyetimin e parandalimit të konfliktit të interesit dhe nepotizmit.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se këto ndalesa janë disproporcionale dhe në kundërshtim me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, i cili përbën lex specialis në këtë fushë. Sipas arsyetimit të Gjykatës, ligji nuk parasheh ndalime absolute dhe automatike, por kërkon që konflikti i interesit të vlerësohet rast pas rasti, mbi bazën e rrethanave konkrete dhe ekzistencës së një interesi privat që ndikon ose mund të ndikojë në ushtrimin e paanshëm të detyrës publike.
Në aktgjykim theksohet se aktet nënligjore, si Statuti dhe Rregullorja e UP-së, nuk mund të vendosin masa më të rënda sesa ato të parashikuara me ligj, pasi kjo cenon parimin e ligjshmërisë dhe hierarkinë e akteve juridike.
Po ashtu, Gjykata ka konstatuar se vetë ekzistenca e një lidhjeje familjare nuk është e mjaftueshme për të konstatuar konflikt interesi, nëse nuk provohet ndikimi real apo potencial në vendimmarrje.
Gjykata Supreme ka detyruar Universitetin e Prishtinës që t’i kompensojë paditëses shpenzimet e procedurës në shumën prej 320 eurosh.
Aktgjykimi hyn në fuqi menjëherë pas komunikimit të tij palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Kritikat e Hasanit: Statuti i UP-së është antikushtetues
Sipas tij, shkeljet kryesore janë në përmbajtje të Statutit.
Në një intervistë për Koha, ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, e pati quajtur statutin si anti-kushtetues, qysh në ditët e para të miratimit të tij.
“E para, dinjiteti i njeriut me Kushtetutën e Kosovës është definues i krejt lirive dhe të drejtave të tjera nga kapitujt e saj dy dhe tre. Me Statut parashihet kategoria që askund nuk haset e që quhet diçka si ‘mirëmbajtja e titullit akademik’. Domethënë, profesorët duhet tërë jetën të jenë në ankth për botime të caktuara me qëllim të mirëmbajtjes së titujve të fituar akademikë. Deri në thirrjen e fundit akademike, domosdo që çdo universitet nxit e detyron profesoratin për avancim. Standard universitar është, megjithatë, që kur profesorët fitojnë ‘tenure’ apo vendimin për marrëdhënie të përhershme pune, ata vetëm mbajnë mësim dhe botojnë çka të duan dhe si të duan. Kjo dispozitë me këtë detyrim për ‘mirëmbajtje’ – që ngjason në diferencimet ideopolitike të kohës së komunizmit – prek sigurinë juridike dhe dinjitetin e profesorit universitar”, ka thënë Hasani. “Si e tillë, kjo kategori statutare ka për qëllim kapjen e profesoratit dhe shantazhimin e tyre me lojalitet politik, nëse duan të mbesin në punë. Edhe në Harvard e Kembrixh kur ke ‘tenure’ supozohet që ke mbërri majat e dijes dhe mbetesh i respektuar. Pra, edhe në rastet e universiteteve private! Këtu synohet që krejt profesorët e rregullt (me ‘tenure’) të rivlerësohen nga e para ose të largohen nga sistemi universitar”.
Ai kishte shtuar se Statuti nuk ka as dispozita kalimtare, që sipas ish-kryetarit të Kushtetueses, kurrë nuk guxon të jetë praktikë në një akt të përgjithshëm juridik.