Pse Escobar e la Kurtin të fundit për takim? - NACIONALE

Pse Escobar e la Kurtin të fundit për takim?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Emisari i Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për ditën e dytë me radhë do të qëndrojë në Kosovë.

Ai u takua me presidenten Vjosa Osmani, me partitë opozitare, me disa parti nga komuniteti serb, por takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e la të fundit. Madje, në orët e pasdites. Takimi do të mbahet nga ora 15:30.

"Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar", thuhet në njoftimin e qeverisë.

Nuk është paraparë ndonjë konferencë për media.

Nuk dihet saktësisht nëse kjo ndërlidhjet me mospajtimet e thella që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kryeministrin lidhur me vendimin për dinarin, megjithatë takime të tilla për fund, nuk mbahen mend të kenë ndodhur shpesh.

Këtë e analizoi edhe Dukagjin Gorani në emisionin “Pressing” në T7.

“Nesër e ka lënë me e taku shefin e Qeverisë, që besa edhe shefin e shtetit, dmth pak para se me pas aeroplanin e ka takimin me kryeministrit e vendit. Ky është mesazh për mua, si e kisha interpretu është mesazh poshtërues”, ka thënë Gorani.

Ende nuk dihet se në çfarë ore do të zhvillohet takimi, megjithatë konfirmimi për takim është dhënë dje nga zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Takimi me presidenten

Gabriel Escobar vizitën në Kosovë e nisi me takim me presidente Vjosa Osmanin. Madje, një mesazh indirekt për Kurtin u dha, duke e quajtur Osmanin si garantuesja primare e raporteve me Amerikën.

Ti (Vjosa Osmani) je garantuesja primare e marrëdhënies dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të falemnderoj për këtë. Dhe do të thoja që kjo trashëgimi është e bazuar në përkushtimin e pashkundshëm ndaj pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë”, tha Escobar me nje dritë falënderimi që i dukej në fytyrë ndaj Osmanit.

Escobar gjithashtu në konferencë me Osmanin deklaroi se vendimi për Manastirin është i vështirë, por që duhej të ndodhte.

Kurse presidentja Osmani deklaroi se zbatimi i rregullores së BQK-së është i vështirë pa aleatët.

Takimi me opozitën

Emisari Escobar u takua edhe me partitë në opozitë. Për takimin, reagoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Komunikimi me aleatët strategjikë, është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës. Nisur nga ky qëllim, sonte, në rezidencën e ambasadorit Hovenier zhvilluam një darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Bashkë shkëmbyem qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në vend dhe vizionin për një të ardhme më prosperuese për popullin dhe shtetin tone”, ka shkruar ai.

Për takimin, njoftoi edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Kjo vizitë po vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin. Shfrytëzova rastin të falënderoj z. Escobar për angazhimin e tij përgjatë gjithë kohës në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të, njëkohësisht në angazhimin e tij në procesin e dialogut. Kërkova të ngritet niveli i marrëdhënieve biletarale Kosovë-ShBA. Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleatin tonë strategjik dhe të përjetshëm, ShBA-të”, shkroi Haradinaj në facebook.

Emisari Escobar takoi edhe disa parti nga komuniteti serb.

Vetëm një ditë para se të vinte në Kosovë, emisari amerikan theksoi se qeveria e Kosovës nuk ka probleme në komunikim vetëm me Amerikën, por edhe me BE-në, NATO-n e vendet fqinje si Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Lajme të ngjashme