PSD-ja kërkon ndihmën e qytetarëve për të paguar gjobën prej 20 mijë eurosh
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka dënuar Partinë Socialdemokrate me një gjobë prej 20 mijë eurosh. Kjo shumë e parave po shihet si e papërballueshme për këtë parti.
Aktivistët e kësaj partia kanë kërkuar nga qytetarët ndihmë financiare për të paguar këtë gjobë.
Në rrejte sociale ata kanë publikuar edhe konton bankare të PSD-së.
Aktivisti i PSD-së, Nol Nushi, vendimin e agjencisë e ka cilësuar politik.
Ai i ka lutur njerëzit e vullnetit të mirë që ta ndihmojnë PSD-në për pagesën e kësaj gjobe.
“Agjensioni per privatesi e ka denu PSD-ne 20.000€. Sulm i paster politik. Paramendo, na kane denu per publikim te te dhenave te peticionit kunder Zajednices, ndonese kjo nuk ka ndodhe. Jane 7 masa ligjore qe parashihen per ata qe publikojne keso te dhena, kurse Agjensioni e ka zgjedhe ndaj nesh masen me ekstreme. Ndaj ketij vendimi nuk na lejohet as te ankohemi, prandaj duhemi me e pagu gjysmen ne menyre qe te mos perballemi me permbarues. Tendenca eshte qe te na e pamundesojne opozitarizmin, prandaj po kerkojme ndihmen e secilit nga ju qe keni vullnet!”, ka shkruar Nushi.
Kurse, aktivisti tjetër i kësaj partia Frashër Krasniqi ka publikuar xhirollogarinë e parti ku mund të ndihmohet PSD-ja.
“Apel për ndihmë! Të dhënat bankare të PSD-së: Emri: Partia Socialdemokrate. Nr. i Xhirollogarisë: 1501090001041368
IBAN: XK05
Banka: Raiffeisen Bank Kosova
Pershkrimi: Donacion + nr personal i donatorit
Si persona individualë, ju mund të dhuroni jo më shumë se 2000 euro në vit si total, kurse si biznes, jo më shumë se 10,000 euro total për vit dhe jo më shumë se 1000 euro brenda ditës”, ka shkruar Krasniqi.
Më 6 mars të këtij viti, rreth një javë pas pajtimit me Marrëveshjen e Brukselit mes Kurtit dhe Vuçiqit, PSD-ja do ta mbante një aksion simbolik kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (Zajednicës).
Asociacioni ishte pjesë e kësaj Marrëveshjeje.
PSD do të shtronte para qeverisë nënshkrimet e vëna në një peticion të para disa viteve kundër Asociacionit, duke nënkuptuar se kryeministri Kurti si ish-kryeopozitar i dikurshëm – folur figurshëm – kishte shkelur mbi vullnetet e këtyre njerëzve.
Më 5 prill, AIP-i do të merrte vendim për ta gjobitur me 20 mijë euro Partinë Socialdemokrate.
Arsyetimi ishte se PSD-ja përmes publikimit të këtyre listave kisthe shkelur ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale (LMDhP).