PSD i çon tri lavatriqe te Qeveria për ta denoncuar mbrojtjen e saj ndaj skandalit të Berishës - NACIONALE

PSD i çon tri lavatriqe te Qeveria për ta denoncuar mbrojtjen e saj ndaj skandalit të Berishës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Social-Demokrate e cila njihet për aksione interesante politike në shenjë protestash, sot para ndërtesës së qeverisë ka zhvilluar aksionin simbolik të radhës. Ky aksion u bë nga PSD-ja pas skandalit në të cilin është i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

PSD ironizoi me mënyrën se si qeveria e Kosovës po e mbron ambasadorin Berishaj, i cili u përmend nga mediet sllovene se shpëlau 600 mijë euro.

Partia e Dardan Molliqajt dërguan para objektit të qeverisë tri lavatriqe të mbushura me para, që simbolizojnë pastrimin e parave. Duke pasur parasysh peshën e madhe (fizike në këtë rast) të këtyre lavatriqeve, nuk dihet se si janë bartur ato.

Pas aksionit, zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate është deklaruar për këtë aksion simbolik, duke shpjeguar se paratë e ambasadorit Berishaj i sollën te miku i tij, Albin Kurti, siç thotë ajo.

“Paratë e shpëlara nga Martini, i sollëm te miku i tij Albini”, shkroi Kuçi në një postim në Facebook.

E përveç Natyra Kuçit, në lidhje me këtë aksion, shkruan në Facebook edhe Teutë Rrusta, Nol Nushi, e anëtarë e aktivistë të tjerë të PSD-së, duke e postuar të njëjtin tekst, si më poshtë:

"Berishaj mban piramidën!

Po bëhet 1 javë nga skandali korruptiv i ambasadorit të Kosovës në Kroaci. Secilën ditë mësuam nga një fakt shtesë. Të gjithë flasin, të gjithë pyesin, institucionet heshtin.

Berishaj ka hapur kompani në Mal të Zi me veten e tij punëtor, dhe hopa 600 mijë euro tërheqje. Paratë në dorë, të gjitha në strajcë. Prejardhja Beogradi. Atje nuk bëhet dot shitblerje energjie pa rënë në rrjetën monopol të kompanive që kontrollojnë gjithë tregun energjetik: EFT dhe Rudknap. Këto kompani lidhen me emrat Hamoviç, Fazlliq e Stanishiq. Afera na drejton kah mafia ballkanike e energjisë.

Martin Berishaj, profesori universitar i filozofisë nga shkolla “tregti e rrymës”, paska bërë edhe evazion fiskal në Mal të Zi. Raportet tregojnë se xhirollogaritë e tij në Mal të Zi janë ngrirë; Mësuam pastaj se super Martin Berishaj i paska 4 nënshtetësi: kosovare, shqiptare, sllovene dhe malazeze; mësuam se Super Martini është edhe profesor, edhe ambasador, e paramendo edhe sekser i rrymës; morëm vesh që profesori sekser i paska fshehur kompanitë nga AKK. Vetëm kaq mjafton për t’u thirrur në përgjegjësi sepse kjo në Kosovë është vepër penale. Dje u bë e ditur se bashkë me profesorin e filozofisë të specializuar për tregti të rrymës, në Slloveni për këtë qëllim paskan qenë edhe udhëheqësit e KEK-ut. Kjo na tregon se afera është institucionale, se këtu ka piramidë. Mos harroni, Nagip Krasniqi është kryeshefi i KEK-ut i caktuar nga Qeveria Kurti. Secili moment që kalon me Martin Berishajn në detyrë kemi të drejtë të besojmë se këtu kemi të bëjmë me piramidë institucionale dhe shpërlarje parash”, është thënë në reagimin e PSD-së."

Në fakt, për skandalin e ambasadorit Berishaj, të parët që raportuan ishin Planet TV, një televizion slloven, që pastaj u përcoll me vemendje, duke sjellë detaje të reja nga Gazeta Nacionale.

Fillimisht mediat sllovene kanë raportuar për një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Në këtë aferë ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë se i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni shpërtheu ky skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Kutojmë se ndërlidhjen e këtij skandali të Berishajt dhe hezitimin e qeverisë për të formuar Komision Hetimor për menaxhimin me krizën energjetike në vend, e bënë edhe partitë e tjera opozitare.

Z. Berishaj njihet si mik shumë i afërt i kryeministrit Kurti. Ai ka qenë ndër të parët që kishte shkuar për të festuar në selinë e LVV-së pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar. Një raport i tillë i ishte shpërblyer pa humbur kohë, duke e emëruar ambasador të Kosovës në Kroaci.

Lajme të ngjashme