“Provokues”; “shpërthim i naivitetit”: Dënohet ashpër retorika e Kurtit ndaj gjyqësorit, opozitës dhe mediave
Fjalimi i kryeministri Albin Kurti në tubimin e mbrëmshme të VV-së është kritikuar ashpër. Retorika e tij sulmuese ndaj institucioneve gjyqësore, mediave, analistëve, bizneseve dhe opozitës është konsideruar e rrezikshëm për demokracinë.
Njohësit e rrethanave politike kanë vlerësuar se adresimi i kryetarit të VV-së ka qenë provokues dhe linçues.
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka bërë me dije se me fjalimin e tij Kurti ka tentuar ta provokoi opozitën.
“Albin Kurti mbrëmë ka tentuar ta provokojë opozitën e ta kthejë energjinë e saj në konflikte të vjetra e të kota. E sigurt është që nuk pati sukses. Opozita e ka formësuar ofertën e vet për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, si ofertë për nxjerrjen e Kosovës nga izolimi e nga kriza e thellë, ku e ka fundosur Kurti. Kurti mbetet i aftë të diskutojë për të kaluarën, me mjete konfliktuoze. Si punohet për të tashmen e të ardhmen dhe bashkë, duket se nuk ka haber”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe më i ashpër ndaj fjalimit të Kurtit ka qenë analisti Dukagjin Gorani.
Në emisionin “Pressin”, në T7, ai ka vlerësuar se duhet falënderuar opozita e cila nuk po bije në provokimet e tij.
“Nëse e shihni fjalimin e sotëm, atëherë duhet me ia ditë për nderë dhjetëfish më shumë, pikërisht këtij parimi që ende mbahet në shoqërinë tonë, e brenda të cilit parim funksionon opozita e sotme politike. E ajo është “nuk do të ketë konfrontim të brendshëm”, “nuk do të shkojmë na në luftë civile, pavarësisht sa pushtet i papërshtatshëm, i pa përgjegjshëm dhe i poshtër je në gjendje të jesh”. Sonte me këtë fjalim, unë mendoj secili qytetar i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshë i Kosovës ish deshtë me qenë mirënjohës për ekzistimin e një opozite e cila nuk bie në provokime të tilla”, ka thënë ai, duke treguar qëllimin e Kurtit dhe të VV-së.
“Meqenëse ky njeri, kjo organizatë nuk mërziten nëse durimin tënd kolektiv e shpien deri në fund, deri në skajshmëri gjithmonë duke llogaritë në mirëkuptimin që e kemi me njëri-tjetrin, sepse ne në fund jemi vëllezër. Kjo situatë nuk duhet kurrë me u harru e as me u tejkalu, mirëpo, pikërisht ky parim mbizotërues i joni është i vetmi që më së shumti është shpërdorë dhe manipulu prej këtij njeriu dhe asaj partie. Kushdo që sonte është ka e këqyr këtë emision le të jetë i gëzuar dhe mirënjohës që e kemi një opozitë e cila është megjithatë racionale dhe e arsyeshme dhe në krahasim me këtë njeri dhe partinë e vetë është edhe e pjekur edhe e maturume. Edhe këto fore, provokime nuk i han. Këtë që e pamë ne sonte, kjo është një kuazë i deklaratë i luftës prej një kuazi lideri dhe kuazi organizate e cila në përpjekje për me vendosë autokraci krejt çka mundet me bë është me u shndërru në karikaturë. Se një organizatë e tillë me një shoqëri si ne, me një shtet çfarë është, ti nuk mundesh me zhvillu diktaturë edhe nëse do”, ka thënë Gorani.
Ai është shprehur i bindur që Kurti nuk do të mund t`i arrijë qëllimet e tij.
“Çka mundesh me bë është me përfundu si karikaturë e saj. Mundesh me përfundu si një karikaturë e Milloshevicit, si karikaturë e Putinit apo e Pol Potit. Mirëpo, diktaturë reale me një vend që ka baza të huaja ushtarake, me një vend që ka misione të rendit dhe ligjit prej Bashkimit Evropian, ti me ushtru diktaturë në atë vend, ajo është vetëm shpërthim i naivitetit të papërvojës dhe maliciozitetit tënd personal edhe grupor. Le të kujtohet mirë kjo shoqni pas këtij fjalimi, përnjëmend çfarë pushteti po do nesër. A po do pushtet që ka me na i harxhu edhe katër vjet gjithmonë me tentativë potenciale me na fund në luftë mes vete, apo po dojmë që këtë kapitull të njëfarë papjekurie tanë elektorale me e kapërcy dhe mos me u kthy më kurrë në të”, është shprehur Gorani.
Çka tha Kurti?
Lideri Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje në mbrëmjen ka prezantuar kandidatët e partisë së tij për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurti.
Në adresimin e tij, para përkrahësve partiak, ai është tallur me të gjithë kritikuesit e tij.
Sipas tij, në këto katër vite ka pasur sabotime të shumta.
“Të dashur qytetarë, kemi pasur pengesa e sabotime, jemi penguar në çdo hap nga ata ose që nuk ia dzuan të mirën e vendit, ose që kanë keq-qeverisur gjatë...sepse klubi i tyre nuk përfton më, ose kanë dashur të dëshmojnë që edhe ne jemi si ata”, ka thënë ai, duke ironizuar me sloganet e opozitës.
“I kam dëgjuar kundërshtarët kur thonë duhet edhe ma mirë...Po pra, na duhet edhe një mandat, edhe për më shumë edhe për ma mirë... Sepse të gjitha këto suksese, i kanë rritur mundësitë, por në të njëjtën kohë edhe e kanë shtruar rrugën. Ata që na kanë sabotuar, me instrumente që ende i kanë në duar...po e shpalosin pezmin, inatin xhelozin...por besoni kështu nuk ecet përpara”, është shprehur ai.
Ndonëse dhjetëra zyrtarë të VV-së janë nënë aktakuza dhe dyshime për korrupsion, Kurti partinë e tij e ka quajtur parti “të parroptueshme e të pashantazhueshme”.
Edhe më i ashpër ai ishte me analistët politikë.
“Zhurmë në shumë studio, sepse zori është i madh. Aty atje tek ata, nuk flet mendja, por pisket sikleti. Ai është sikleti i madh i olagarkisë, që e transeton britma e analistit, këtyre po u laget fyti nga ata që vbet e ndjejnë tharjen e fytit, sepse buxheti me neve është për qytetarët”, vazhdoi të sulmojë kritikët në media, Kurti.
Albin Kurti pretendoi se vetëm Vetëvendosja “e di çka do të thotë shteti” dhe se vetëm Vetëvendosja “e di si lartësohet një popull”.
“Politika është arti i përdorimit të artit të energjive, edukimit i të energjive njerëzore...i kemi rikualifikuar të gjitha drejtimet ministrore. Në këtë çast na duhet rezultati i legjitimitetit të lartë... Ne shohim qytetarin si aktivist të larmishëm... Ky është qytetari sovran i republikës sonë të pavarur e demokratike”, ka deklaruar Kurti.