Protestuesit në Izrael e bëjnë vijën e kuqe para Gjykatës Kushtetuese
Jerusalemi u zgjua të enjten me pamjen e një vije të gjatë e të kuqe, të bërë me ngjyrë nga protestuesit përgjatë rrugëve që të çojnë në Gjykatën Supreme të Izraelit, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu refuzoi një marrëveshje kompromisi për reformën në sistemin e drejtësisë.
Policia tha se ka arrestuar pesë persona, të cilët ishin veshur si punëtorë për ta kryer aksionin protestues gjatë natës, raporton agjencia “Reuters”.
Pamjet e bëra me dron shfaqën një grup të vogël të njerëzve duke hedhur ngjyrë për të formuar një rrip të gjerë me ngjyrë të kuqe nëpër rrugë kryesisht boshe që çojnë te Gjykata Supreme në pjesën qendrore të Jerusalemit.
Plani i qeverisë djathtiste për t’ia kufizuar kompetencat Gjykatës Supreme e për t’ia shtuar pushtetin vetes për përzgjedhjen e gjykatësve ka shkaktuar alarm në Izrael e jashtë tij për gjendjen e demokracisë. Vendi është përfshirë nga protestat me javë të tëra.
Në atë që e quajturën “ditë e rezistencës”, protestuesit bllokuan rrugë përreth Tel Avivit dhe në qytete të tjera. Në portin e Haifas, disa protestues me barka u munduan që t’i bllokonin vijat e ankorimit.
Netanyahu, para nisjes për vizitë të mërkurën në Gjermani, shtet që ka shprehur shqetësim për planin qeveritar, tha se kompromisi i propozuar nga presidenti Isaac Herzog nuk do ta rivendoste baraspeshën në degët e qeverisë.