Protesta | Klinaku: Nëse ka nevojë, protestojmë edhe me tenda para Kuvendit
E PËRDITËSUAR (11:30) -
Po vazhdon protesta e Veteranëve në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Madje, Faton Klinaku nga OVL-UÇK, ka paralajmëruar se do të dalin edhe me tenda në protestë.
“Nëse kryeministri s’merrr vesh dhe ligji e merr fuqinë e plotë ne e dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Atje do të konstatohet se këta e kanë shkelur kushtetutën”, shtoi ai, por derisa të ndodhë kjo “do të dalim edhe me tenda dhe deri sa të merr vesh neve na ka në rrugë”, ka thënë Klinaku.
Qetësohet situata, veteranët në pritje para Kuvendit
Pas disa përplasjeve me policinë, veteranët kanë arritur të hyjnë në oborrin e Kuvendit.
Megjithatë, situata tash është qetësuar, raporton gazeta Nacionale.
Veteranët po vazhdojnë të qëndrojnë para Kuvendit, përderisa atyre iu është dhënë edhe ujë nga Njësitet e Policisë.
U.D kryetari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka kërkuar përmbajtje pasi sipas tij, po provokohen nga pushteti.
Veteranët e kanë thyer kordonin e parë të Policisë së Kosovës dhe kanë hyrë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Gazetari i Nacionales ka raportuar se aty është dëgjuar edhe një shpërthim.
Këto janë disa pamje nga vendi i ngjarjes.
Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës para Kuvendit
— Nacionale (@Nacionaleks) June 16, 2022
Veteranët kanë hyrë në oborrin e Kuvendit pic.twitter.com/N62KbiQo4H
Veteranët e UÇK-së kanë nisur disa shtyrje me pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Fillimisht, gazetari i Nacionales raporton se është dëgjuar edhe një shpërthim, e më pas kanë nisur përplasjet me policinë.
Në gjendje gatishmërie janë edhe Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës.
U.D kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, ka kërkuar nga Policia që të mos lejohen provokime, që sipas tij po vijnë nga dritaret e Kuvendit.
Klinaku ka thënë se pushteti po tenton ta tensionojë situatën.
“Nga dritaret e Kuvendit që po i hapin po provokojnë me gishta. Në bazë të informacioneve, pushteti dëshiron të provokojë situatën. Iu lus të gjithëve, ne me Policinë nuk kemi punë, ata janë shokët tanë për ta ruajtur rendin dhe qetësinë. Pushteti t’i ndalojë provokimet dhe ta ndryshojë ligjin që shkelë Kushtetutën për veteranët”, ka thënë Klinaku.
Ndryshe, protesta ende nuk ka nisur zyrtarisht, pasi po priten edhe veteranët e tjerë nga qytetet e tjera.
Veteranët në revoltë para Kuvendit, Policia blindon institucionet
Mijëra veteranë janë mbledhur në afërsi të Kuvendit të Kosovës.
Ata po kundërshtojnë përjashtimin nga rritja e pagës minimale, ligj që u miratua të martën në Kuvendin e Kosovës.
Veteranët kanë ardhur nga të gjitha qytetet e Kosovës, dhe kanë premtuar se do të tentojnë të protestojnë në mënyrë të qetë.
Në anën tjetër, me qindra policë të njësive të ndryshme të Policisë, janë parë në afërsi të Kuvendit.


Kjo pasi edhe protesta e mbajtur ditë më parë, kishte eskaluar në afërsi të Kuvendit.
Megjithatë, një ditë më parë, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se për çdo zhvillim përgjegjësinë do ta ketë kryeministri Albin Kurti.
Ligji për Pagën Minimale u miratua të martën me 68 vota për, përfshirë edhe votat e Listës Serbe. Nga kjo rritje, janë përjashtuar veteranët.
Më poshtë, fotografitë e realizuara nga fotoreporteri i gazetës Nacionale, Valdrin Xhemaj.


