Protesta e Listës Serbe në Veri, Policia e Kosovës jep detaje për gjendjen e sigurisë
Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media, ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat për protestën e sotme të Listës Serbe në veri.
Në njoftim, Policia ka bërë thirrje që protesta të jetë e qetë, dhe të mos ketë provokime.
NJOFTIMI:
Policia e Kosovës vazhdon angazhimet në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike
Prishtinë, 6 nëntor 2022
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në Veri të Mitrovicës.
Referuar informacioneve mbi zhvillimet e fundit dhe paralajmërimeve për mbajtjen e një proteste/tubimi sot në ora12:00, Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestave paqësore, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale.
Përmes planit operacional Policia e Kosovës ka për qëllim ndërmarrjen e masave operative policore, për tu siguruar se mbarëvajtja e protestës/tubimit të kaloj e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të RKS-së.
Policia e Kosovës, fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.