Prosper: Nëse gjqytarët e shohin të vërtetën ashtu siç është, Thaçi dhe të tjerët do të jenë burra të lirë
Pierre Richard Prosper, pjesë e ekipit juridik të ish-presidentit Hashim Thaçi, ka deklaruar se pesë vitet e fundit mbrojtja është përballur me një atmosferë të deformimeve dhe keqinterpretimit të fakteve historike.
Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Prosper theksoi se përfundimi i paraqitjes së dëshmitarëve të mbrojtjes ka krijuar hapësirë që opinioni ndërkombëtar të shohë më qartë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Sipas tij, procesi i zhvilluar në gjykatë ka mundësuar që elementi i së vërtetës të dalë në pah dhe se kjo, siç tha ai, do të çojë në lirimin e Thaçit dhe të bashkëakuzuarve.
“Kemi besim se gjyqtarët tani do të shohin informacionet dhe provat për ta kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe si ka qenë situata. Por në fund të ditës, kemi triumfuar duke regjistruar të dhëna të sakta historike. Tani u mbetet në dorë të gjyqtarëve, mirëpo mendoj se nëse e shohin të vërtetën ashtu siç është, presidenti Thaçi dhe të tjerët do të jenë burra të lirë”, u shpreh ai mes tjerash në këtë intervistë.