Propozimi për Qeveri “Konjufca 1”, Haradinaj: Osmani s’mund të mandatojë pa dëshminë se janë votat, kjo është farsë
Ramush Haradinaj e ka quajtur “farsë” propozimin e Albin Kurtit për “Qeveri Konjufca 1”, kur nominoi Glauk Konjufcën si mandatar për qeveri të re.
Haradinaj i çoi porosi Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, se për të mandatuar mandatar të ri, duhet të jetë dëshmia se janë 61 vota.
Postimi i plotë:
Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme.
Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike.
Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.