Propaganda e pushtetit - E pështjellin situatën se biseda e Kusarit me Radoiçiqin është e vitit të kaluar, incizimi i demanton
Publikimi i një bisede të shkurtër nga Nacionale ndërmjet Mimoza Kusari-Lilës dhe Milan Radoiçiqit, nuk po kapërdihet lehtë nga pushteti.
Përderisa kryeministri Kurti tha se nuk e ka dëgjuar, por është situatë e montuar, zyrtarët e tjerë të pushtetit kanë filluar me synimin që të krijojnë mjegull.
Zyrtarë të lartë të pushtetit po tentojnë ta mjegullojnë situatën, duke thënë se biseda e Kusari-Lilës me Radoiçiqin, është ajo që u publikua vitin e kaluar. Gjë që nuk qëndron absolutisht.
Kjo pasi në bisedën e Nacionales, shihet se komunikimi ka ndodhur me telefon direkt ndërmjet Kusari-Lilës e Milan Radoiçiqit. Si ndërmjetës, është Slavko Simiq që kishte shkuar dhe ishte takuar me Radoiçiqin.
Përderisa, në bisedat e para të publikuara nga Nacionale, Slavko Simiq e Kusari-Lila bisedojnë në interfon me Radoiçiqin, dhe kjo ishte pranuar edhe nga vetë Kusari-Lila. Por, kjo e fundit aso kohe insistonte se kurrë në jetë nuk ka biseduar me telefonin e saj.
Por, si po bën propagandë pushteti?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, mendon se biseda mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila, dhe kryeterroristit serb Millan Radoiçiq, të publikuara nga Nacionale, “s’tregojnë gjë”
Madje, ai tha se “në kohën e Kurtit, Radojiçiq iku maleve”.
“Ky rast nuk duhet shikuar në këtë prizëm. Mendoj që është një pikturë më e madhe. Tash po tentojnë që Radoiçiqin ta paketojnë kinse ka edhe raporte me neve, që është e pavërtetë. Këto përgjime që po dalin, janë të atyre përgjimeve të vitit të kaluar e që në fakt nuk tregojnë asgjë. Radoiçiqin duhet ta shikojmë ndryshe, atë i cili në kohën e Albin Kurtit ik maleve”, u shpreh Bajqinovci.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri duke komentuar bisedën e publikuar të shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me të sanksionuarin e ShBA-së, Milan Radoiçiq ka thënë se nuk ka pasoja prej saj.
Edhe Vokrri ka shfrenuar propagandën duke theksuar se është lajm i vitit të kaluar.
“Nuk e di pse duhet të riciklohet një lajm i vitit të kaluar që nuk ka ndonjë relevance. Në atë kohë kur është bërë kjo bisedë e shkurtër telefonike kanë qenë rrethana tjera. Nuk ka qenë në listën e zezë Radoiqiçi, ka qenë nënkryetar i njërës prej partive me ndikim serioz në institucionet e shtetit. Nuk shoh që ka ndodhur diçka e keqe, ose ndonjë pasojë pas asaj” është shprehur ai në Tëvë1.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe analisti pro-pushtetit, Gazmir Raci. Megjithatë, pasi gazetari Vehbi Kajtazi ia sqaroi krejt situatën, ai nuk e tha asnjë ‘llaf’ tjetër për këtë inicizim që është i ri, e jo i vjetër siç po propagandon pushteti.
Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se audio-incizimi i publikuar mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lilës dhe tash terroristit Millan Radojiçiq nuk ka “diçka të re” nga publikimi i vitit të kaluar.
“Pra në takim ku ka qenë ish-shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe. I bie se nuk ka diçka të re, është diçka që është lëshuar vjet një pjesë dhe tash u lëshua pjesa e dytë, që për mua ishte shumë interesant se pse u lëshua menjëherë pas dështimit të shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës”.
“Menjëherë pas dështimit të shkuarjes së vendit në zgjedhje, u lëshua një gjë e tillë, natyrisht për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk është diçka e re, është pjesë e bisedës që ka qenë vitin e kaluar në mes dy shefave të grupit parlamentar”, tha Raci në Rubikon.
Pra, për ta sqaruar sërish: në inicizmin disa-sekondësh të Nacionales, Kusari-Lila e Milan Radoiçiqi bisedojnë direkt me telefonat e tyre, e jo me interfon siç ka qenë biseda e kaluar.