Prokuroria Speciale jep detaje për pesë të arrestuarit për masakrën e Reçakut - NACIONALE

Prokuroria Speciale jep detaje për pesë të arrestuarit për masakrën e Reçakut

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Speciale e Kosovës ka arrestuar pesë persona të nacionalitetit serb në kuadër të hetimeve për Masakrën e Reçakut, në rastin e njohur si “Reçaku 2”.

Aksioni u zhvillua në koordinim mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë e Kosovës, pas urdhrit të miratuar nga gjykata kompetente.

Prokurori special Ilir Morina e nisi me deklarimin se “se këto konferenca (për shtyp) janë të veçanta kur ndodhin për raste si ky i sotmi që është shumë i rëndë.”

Ai rikujtoi se Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë për rastin e masakrës së Reçakut në dhjetor të vitit të kaluar, dhe se hetimet nuk kanë përfunduar ede.

Sipas tij, gjatë gjashtë muajve janë identifikuar persona të dyshuar si pjesë e njësive të policisë serbe të kohës.

“Ne kemi vazhduar me mbledhjen e provave të rëndësishme që lidhen me kryesit, por edhe me organizatorët dhe urdhërdhënësit e këtij krimi”, tha Morina.

Ai konfirmoi se “pasi kemi siguruar prova të mjaftueshme, kemi paraqitur kërkesë në gjykatën kompetente për urdhër-arreste dhe urdhërkontrolle.”

“Gjykata e ka aprovuar kërkesën tonë dhe sot, në orët e hershme të mëngjesit, kemi ekzekutuar urdhrin dhe kemi arrestuar pesë persona”, shtoi ai.

Operacioni u drejtua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në bashkëpunim me njësitë operative.

Një përfaqësues i hetuesisë tha se “rasti i Reçakut është jashtëzakonisht i rëndë dhe ka kërkuar angazhim dinamik në mbledhjen e provave për kryesit e mundshëm.”

“Ne kemi punuar në koordinim të vazhdueshëm me prokurorinë dhe kemi identifikuar persona të dyshuar nga njësitë e policisë serbe të asaj kohe”, u tha në konferencë.

Sipas hetuesve, operacioni “Reçaku 2” nisi në orën 06:00 të mëngjesit me planifikim të detajuar operacional.

“Gjatë këtij operacioni janë arrestuar pesë të dyshuar pjesë e planifikimit të ekzekutimit të urdhërkontrollit”, u theksua.

U sekuestruan armë, uniforma policore, pranga, shufra policie dhe pajisje të ndryshme komunikimi.

Po ashtu, u gjetën dokumente që, sipas hetuesve, “konfirmojnë angazhimin e tyre në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë gjatë periudhës së luftës”.

“Janë konfiskuar edhe video-kaseta, telefona mobilë dhe mjete monetare në vlerë të konsiderueshme”, u tha në konferencë.

Prokuroria theksoi se “drejtësia nuk zhvillohet përmes deklaratave politike”, por përmes provave dhe procedurës ligjore.

Rasti, sipas saj, është rihapur pas vitit 2020 dhe po mbështetet në video-inçizime të RTK-së dhe mediave serbe.

“Jemi fokusuar në identifikimin e individëve që shfaqen në këto materiale”, u deklarua nga prokuroria.

Lajme të ngjashme