Prokuroria Speciale arreston 5 persona, dyshohen për krime lufte në Kosovë
Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes një njoftimi në Facebook, ka njoftuar se pas hetimeve disa mujore, bashkë me Policinë e Kosovës kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte. Këto krime dyshohen se janë kryer gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë, ku mijëra njerëz civilë e të pafajshëm u eliminuan fizikisht e qindra-mijëra të tjerë u dëbuan nga Kosova nga ana e makinerisë luftarake të Serbisë.
Në një komunikatë për media, Prokuroria Speciale ka bërë me dije inicialet e personave, D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh, të cilët dyshohet se më 5 maj 1999 kishin ndërmarrë aksion në disa fshatra, për të vrarë e maltretuar viktimat shqiptare.
“Në kuadër të këtij aksioni, me urdhër të Prokurorit Special, janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë” – thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për personat e lartcekur do t’i ndërmerre veprime e mëtejme procedurale ligjore, derisa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve.
Sjellim ndër mend që kohëve të fundit ka pasur disa arrestime në lidhje me veprën e rëndë penale të krimeve të luftës. Madje, në muajin që iku, pra në korrik, u shqiptuar dy vendime nga ana e gjykatave të Kosovës për krime lufte.
Më 12 korrik, Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me 15 vjet burgim Muhamet Alidemaj, i dyshuar për pjesëmarrje bashkë me forcat serbe në masakrën e Izbicës në vitin 1999. Përveç Alidemajt, në korrik Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, po ashtu për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas Gjykatës, Bajrmoviq ishte shpallur fajtor për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshtartat tjera përreth të Komunës së Istogut. Rikutjojmë faktin që gjatë luftës Bajramoviq kishte qenë polic i Serbisë në stacionin policor të Gurrakocit.
Katër vite më parë, Darko Tasiq ishte dënuar më 22 vite burgim për krime lufte ndaj popullsisë civilë në Krushë të Madhe.