Prokuroria nis hetimet për keqpërdorime gjatë numërimit të votave edhe në Obiliq
Prishtinë, 4 shkurt 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe sigurimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas njoftimit, Policia e Kosovës ka intervistuar disa persona të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshime për keqpërdorime apo falsifikime gjatë numërimit të votave të subjekteve politike.
Pas intervistimit, personat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rastit janë duke vazhduar. Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë theksuar përkushtimin e tyre për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e kriminalitetit.