Prokuroria e Prizrenit kërkon vazhdimin e paraburgimit për “Kobrën” dhe pesë të tjerët
Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Dibran Hoxhën dhe pesë të pandehurit të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtari për informim i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.
Lekaj tha se Prokuroia ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Dibran Hoxha, i cili dyshohet të ketë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Manipulim me prova”.
Po ashtu, vazhdimi i paraburgimit është kërkuar edhe për pesë të dyshuarit e tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi,, të dyshuar për veprat penale “Manipulim me prova” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.
I njëjti tha se gjyqtarja e procedurës paraprake, lidhur me propozimin e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit do të vendos deri më 3 shkurt 2023.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 4 janar 2023, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj ndaj Hoxhës dhe të tjerëve.
Ndërsa, për të dyshuarin e shtatë R.S, më 7 janar 2023, gjyatarja e procedurës paraprake, kishte caktuar masën e paraburgimit, e cila vlen deri më 6 shkurt 2023. I dyshuari R.S., dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.