Prokuroria dhe Policia me komunikatë për rastin e Sylës: Të arrestuarit akuzohen për nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët për tre të arrestuarit të dyshuar për sulm ndaj gazetarit Valon Syla.
Në këtë komunikatë thuhet se arrestimi i tre të dyshuarve është arritur pas një punë intensive të Policisë së Kosovës përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizimit.
Tre personat e arrestuar dyshohen për kryerjen e veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit”.
Në fund të komunikatës bëhet e ditur se tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.
Komunikata e plotë:
Arrestohen tre persona të dyshuar për sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla
Prishtinë, 12 prill 2023 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona të cilët kanë sulmuar gazetarin, Valon Syla.
Prokuroria Speciale njofton se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre (3) të dyshuarit, për rastin e sulmit fizik të datës 11.04.2023, ndaj gazetarit Valon Syla, arrestimi i të cilëve është realizuar sot me datë 12.04.2023.
Të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.
Tre të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje, si dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.
