Prokurori që e ngriti aktakuzën kundër Thaçit po e shqyrton dorëheqjen edhe në ShBA pas fitores së Trumpit - NACIONALE

Prokurori që e ngriti aktakuzën kundër Thaçit po e shqyrton dorëheqjen edhe në ShBA pas fitores së Trumpit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Ish-prokurori i Dhomave të Specializuara, Jack Smith, synon që të japë dorëheqje edhe nga pozita e tij në ShBA para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, të inaugurohet në Shtëpinë e Bardhë në janar dhe është duke diskutuar për mekanizmat rreth përmbylljes së ndjekjes penale në nivel federal kundër presidentit të ri me udhëheqësinë e Departamentit të Drejtësisë, tha një zyrtar i këtij departamenti, i afërt me këto diskutime.

Trumpi ka kërcënuar se do ta shkarkojë Smithin, por pritet që prokurori të largohet para se presidenti i ri ta marrë pushtetin, raporton televizioni CNN.

Bisedimet mes Smithit dhe udhëheqësve të Departamentit të Drejtësisë shtrihen përtej rasteve penale të Trumpit, deri te pyetjet se çfarë të veprohet me të pandehur të tjerë në rastin e dokumenteve të klasifikuara si dhe me zyrën e hetuesit të posaçëm dhe çfarë ndodh me buxhetin e stafin e saj.

Smithit i kërkohet që të hartojë një raport për punën e tij dhe t’ia dorëzojë kryeprokurorit të ShBA-së, Merrick Garland. Nuk është e qartë nëse koha e largimit të Smithit do të shtyhej, nëse ai do të detyrohej që ta dorëzonte raportin e tij te komuniteti i inteligjencës për miratim, sipas personave me njohuri rreth diskutimeve.

Smithi është duke punuar për ta përfunduar raportin para se Trumpi ta marrë pushtetin, pasi Garlandit do të duhej ta miratonte atë dhe të vendoste nëse do të publikonte ndonjë pjesë të tij, tha një person i afërt me diskutimet.

Gazeta “The Neëw York Times” raportoi e para për kohën e planeve të Smithit për dorëheqje.

Trumpi dhe aleatët e tij kanë kërcënuar në mënyrë të përsëritur për ta shkarkuar dhe për ta ndjekur penalisht ekipin e Smithit. Në tetor, presidenti tashmë i zgjedhur kishte thënë se do të shfrytëzonte kompetenca presidenciale për t’i dhënë fund hetimit të Smithit dhe kishte premtuar se do ta shkarkonte atë “brenda dy sekondave”.

Para largimit, Smithi do të duhet të vendosë se si t’u japë fund dy rasteve penale që i ka ngritur kundër Trumpit. Në Florida, ai e ka apeluar vendimin e gjykatëses Aileen Cannon për ta hedhur poshtë rastin e dokumenteve sekrete, duke vlerësuar se Smithi ishte emëruar në mënyrë antikushtetuese si hetues i posaçëm dhe se edhe financimi i zyrës së tij përbënte shkelje të ligjit./Nacionale

Lajme të ngjashme