Profesori amerikan: “Abstenimi i Greqisë në KiE hap i rëndësishëm drejt njohjes së Kosovës” - NACIONALE

Profesori amerikan: “Abstenimi i Greqisë në KiE hap i rëndësishëm drejt njohjes së Kosovës”

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Mosdalja kundër e Greqisë në Këshillin e Evropës kur po votohej në fazën e parë të shqyrtimit të aplikimit të Kosovës, për profesorin amerikan Alon Ben Meir, përbën “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së eventuale të pavarësisë së Kosovës”. Kështu ai shkroi ai në një cicërimë në Twitter, ku abstenimin grek e lexoi për mbështetje.

Mbështetja e Greqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është qartazi një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale të pavarësisë së Kosovës. Sidoqoftë, se kur do të mund të ndodh kjo mbetet për t’u parë”, ka thënë Ben Meir.

Në dritën e Marrëveshjes së Ohrit dhe domosdoshmërisë që ndërmjetësit duhet t’i kushtojnë përmbajtjes së Serbisë për këtë marrëveshje, Ben Meir ka edhe kërkesa. BE duhet të bëjë një rivlerësim karshi Presidentit të Seribës, Aleksandar Vuçiq, thotë ai.

Bashkimi Evropian duhet të rivlerësojë se ku po qëndron Aleksandar Vuçiq dhe t’ia bëjë të qartë se nëse nuk i qëndron në plotni Marrëveshjes së Ohrit, Bashkimi Evropian do të çojë para integrimin e Kosovës, përfshirë liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar profesori amerikan në Twitter.

Çfarë ka thënë Athina zyrtare?

Greqia nuk ka për qëllim njohjen e Kosovës pavarësisht abstenimit në votimin për kalimin në fazë tjetër të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka thënë këshilltari për Siguri Kombëtare i Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Tanos Dokos. Këtë koment ky i fundit e bëri gjatë një diskutimi në Forumin Ekonomik të Delphi-t në Athinë, ku po merrte pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Abstenimi i Greqisë u përcoll me nota dëshpërimi në Beograd, ku madje “kërcënuan” edhe me “aplikim të reciprocitetit”, por këshilltari Dokos pati një shpjegim për abstenimin e Greqisë. “Besuam se ishte gjë e mirë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe qetësimit të tensioneve mes dy palëve”, tha ai.

Takos, i kujtoi Serbisë një gjë – se në Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve të pranuar në Ohër janë pajtuar të mos bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Edhe abstenimi i Athinës, tha ai, është bërë në këtë frymë.

Nuk e kemi njohur Kosovën dhe as nuk do ta bëjmë. Por, po provojmë të jemi sa më konstruktiv që mundemi”, ka thënë Tanos Dokos, siç e cituan mediat serbe.

Kujtojmë se Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, me të kaluar suksesshëm aplikimi i Kosovës për në KiE në fazën tjetër, u shpreh “i zhgënjyer” me votën greke derisa edhe lajmëroi se këtë “zhgënjim” ia kishte përçuar kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Këshilltari Takos i drejtohet Daçiqit edhe me një gjë tjetër.

Shpresoj që miqtë tanë serbë të mbajnë mend që në këtë i kemi mbështetur për vite”, ka thënë Takos.

Greqia ndonëse juridikisht nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës, ka zhvilluar marrëdhënie të mira “bilaterale” me Kosovën, e madje në raste për nga intenziteti edhe më shumë se disa shtete të BE-së që formalisht e njohin Kosovën. Ka kohë që spekulohet se njohja e Greqisë mund të jetë afër, megjithatë, një gjë e tillë është mohuar kategorikisht nga shteti helen.

Lajme të ngjashme