Profesor Smajljaj: A do të reagojnë më mirë serbët më 1 shtator për Reciprocitetin?
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avdi Smajljaj, e ka quajtur fituese aktuale Serbinë në çështjen e reciprocitetit me letërnjoftime.
Ai e ka cilësuar vendimin për vendosjen e reciprocitetit me letërnjoftime si “të ngutshëm”.
Smajljaj pretendon se edhe më 1 shtator – për kur është shtyrë nisja e implementimit – rrethanat nuk tregojnë se implementimi do të jetë më i arsyeshëm se sa që është aktualisht, më 1 gusht.
“Nëse nuk ka ndryshim të rrethanave, reagimi i qytetarëve serb në atë pjesë të Kosovës mund të jetë edhe më i ashpër, të inkurajuar nga tërheqja e vendimit të institucioneve.” – ka shkruar z. Smajljaj.
Edhe një herë, z. Smajljaj ka avokuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale.
Statusi i plotë:
Vendimi për shtyrjen e reciprocitetit dëshmon se vendimi për reciprocitet më së paku ishte i ngutshëm, të paktën në implementim ishte 1 muaj i parakohe.
Vendimet për çështjet më të ndjeshme në vend e rajon do të duhej të ishin të mirëkalkuluara, përfshi pasojat e mundshme.
Nga ky vendim, aktualisht fitues doli Serbia, përderisa aktualisht u bë siç kërkuan ata.
Gjendja në terren tregon se as me 1 Shtator nuk pritet të ketë ndryshime të cilat mund ta bënin implementimin e vendimit në Shtator më racional sesa dje e sot.
Nëse nuk ka ndryshim të rrethanave, reagimi i qytetarëve serb në atë pjesë të Kosovës mund të jetë edhe më i ashpër, të inkurajuar nga tërheqja e vendimit të institucioneve.
Kosova në atë pjesë të saj, ka nevojë për zgjidhje të qëndrueshme, e jo për marrëveshje teknike të pjesëshme.