Prishtina e di ‘hajdutin’ e biçikletave por Përparim Rama veç po e ‘këqyr seri’ - NACIONALE

Prishtina e di ‘hajdutin’ e biçikletave por Përparim Rama veç po e ‘këqyr seri’

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Marrë parasysh trafikun e dendur me vetura, Prishtinës do t’i shëroheshin mushkëritë nëse një pjesë e madhe qytetarësh do të përdornin biçikleta. Por, ka një ‘hajdut’ biçikletash, i cili njihet nga të gjithë, por të cilin deri tash kryetari Përparim Rama veç “po e këqyr seri”. Bëhet fjalë për shtigjet munguese ose palidhje të biçikletave.

“Sot lëviza në këmbë nëpër qytet dhe shkova në zyrë pa makinë. Ambienti është jeta. Prandaj, le ta ruajmë. Sa herë është e mundur duhet ta shmangim lëvizjen me automjet”

Kështu kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, herën e fundit kur kishte shkuar në këmbë në punë e që ishte gjatë mandatit të parë si kryeministër. Por, prej që mori mandatin e dytë me 50 për qind, xhipat ishin zgjedhja e preferuar e Kurtit për transport.

Njejtë si Kurti vazhdojnë të veprojnë edhe qytetarët të cilët shumë pak përdorin biçikletën si mjet udhëtimi edhe pse çmimi i karburanteve është rritur në mënyrë alarmante.

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, është i ngarkuar me trafik dhe ka pak shtigje të biçikletave.

Nacionale ka pyetur Komunën e Prishtinës për të kuptuar se cili është plani i tyre për krijimin e shtigjeve të reja për biçikleta, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Ajo çfarë kemi gjetur, janë vetëm premtimet e kryetarit Përparim Rama të bëra gjatë fushatës zgjedhor për zgjedhjet komunale.

Sipas këtij plani, Prishtina do të jetë “qytet i sigurt për biçikleta dhe trotinetë” dhe nuk ka asgjë konkrete se si do të bëhet e plani i tij nuk është i qasshëm.

Në anë tjetër, Berat Rakovica, kryetar i grupit “Marakli t’Biciklave”, për Nacionalen ka thënë se që nga viti 2018 kanë kërkuar që të krijohen kushte më shumë për bicikletat.

“Ne si Marakli t’Biciklave kemi avokuar qysh nga viti 2018 që të krijohen kushte për ciklizëm ku falë mbështetjës së komunitetit të ciklistëve duke mos e përjashtuar edhe kontributin e mediave në ngritjen e kauzave tona përtej zyreve të komunës apo faqeve tona ku ne kemi arritur që brenda dy viteve t’i bindin autoritetet komunale që të investojnë në mbi 8km korsi bicikletave në qytet, e po ashtu Ministrinë e Infrastruktures në riparimin/shenjëzinin e mbi 12km korsi aktuale në rrugë regjionale po ashtu edhe shtimin e 800m korsi të re në këto rrugë regjionale. Ne momentalisht jemi duke vazhdu punën me intensitet më të lartë në avokim për përmisim të kushteve për ciklistë dhe këmbësor e po ashtu shtrimin e temave rreth sigurisë në trafik dhe mbrojtjes së ambientit nga ndotësit kryesor.” – ka thënë ai.

Rakovica foli edhe për të mirat shëndetësore që sjell përdorimi i bicikletës.

“Mendoj që përveç të mirave shëndetësore që sjell në vete përdorimi i biçikletës edhe vet fjala transport i qëndrueshëm na lë të kuptojmë që biçikleta është e qëndrushme dhe ka një rendësi të pazëvendësueshme kur marrim parasysh faktorët kryesorë që ndikojnë në kualitetin e jetës në qytete të mbipopulluara, kur është në pyetje kualiteti i ajrit apo në raste kur ka kriza sikur se këto që i kemi momentalisht, vërehet roli dhe rëndësia e bicikletës”, shtoi ai.

Ndërkohë një qytetar me emrin Armend Dobruna, që çdo ditë shkon në punën e tij me biçikletë, na ka treguar për problemet me të cilat ballafaqohet ai gjatë lëvizjes.

Po ashtu, Dobruna ka theksuar gjërat që duhet t’i kryejë Komuna e Prishtinës që t’u lehtësohet edhe më shumë qarkullimi me biçikleta.

“Në Prishtinë mungojnë shtigjet e dedikuara për bicikleta. Përveç shtegut në lagjen Dardania, i cili është i izolumë vetëm në atë lagje, Prishtina ka mungesë të ndërlidhjes së lagjeve me njëra tjetrën. Në veçanti mungon shtegu i dedikuar për të arritur nga zona qendër në zonën e malesisë së Prishtinës – në lagjet, Kolovicë dhe fshatrat LLukar, Makoc, Grashticl, Mramor etj. Përveç lidhjes së lagjeve të Prishtinës me shtigje të reja, duhet intervenuar edhe në: Respektimn e rreptë të shpejtësisë së veturave në 30KM në zonat qendër 1, qendër 2, qendër 3 dhe në zona tjera banimi. Kjo do të bënte shumë më të lehtë vozitjen e biçikletës për fillestar por edhe do të lironte trafikun sepse do të krijohej nje tempo konstante e shpejtësisë për të gjitha mjetet levizese; Intervenim në semafora ku nje ri-programim i tyre do ti jepte bicikletës 4-7 sekonda shtesë” – ka thënë ai për Nacionalen.

Me tej, ai ka treguar se çfarë modeli duhet ndjekur Komuna e Prishtinës.

“Duhet ndjekur shembullin e Danimarkës dhe Holandës ku tash e sa vite biçikleta ka filluar të rikonceptohet dhe të pranohet si mjet transportues me prioritet me të lartë se veturat dhe mjetet tjera djegëse.” – ka thënë ai.

Cilat janë dobitë që sjell në shëndet përdorimi i biçikletës?

  • Përdorimi i biçikletës konsiderohet si një aktivitet fizik i moderuar, i dobishëm njëherësh si për shëndetin, ashtu edhe për mjedisin.
  • Përdorimi i biçikletës zvogëlon rrezikun ndaj sëmundjeve të zemrës, infarktin, si dhe diabetin tip 2.
  • Ruan dhe rrit forcën, rezistencën dhe densitetin e kockave.
  • Përmirëson shëndetin mendor dhe humorin, lehtëson simptomat e depresionit, stresit dhe ankthit.
  • Rrit masën muskulore.
  • Forcon muskujt, forcon strukturën kockore në tërësi dhe ndihmon për të qenë më të fortë fizikisht.
  • Tashmë është vërtetuar se aktiviteti fizik pasohet me sjellje të tjera të shëndetshme, si: ushqyerje të shëndetshme dhe mospirje të duhanit, teksa mund të përdoret për të arritur ndryshime të tjera të sjelljes në lidhje me mbrojtjen e shëndetit.

Deri më tani nuk në Kosovë nuk ka të dhëna se sa përdoret biçikleta edhe pse Nacionale ka pyetur Agjencinë e Statistikave të Kosovës [ASK], mirëpo të njejtit nuk kanë dërguar të dhëna.

*Hajduti i biçikletave është një film i famshëm italian nga Vittorio de Sica.

Lajme të ngjashme