Prilli i thyer: Një rënie dhe katër të rëne për Kosovën për një javë
Java e fundit e muajit prill i dha Kosovës një rënie dhe katër rëndime. Cilat ishin ato?
Kësaj jave po i vjen fundi pikërisht në këtë ditë që e nis muajin maj. Por, java e fundit e prillit meritueshëm mund ta merrte titullin e një vepre të madhe nga shkrimtari ynë Ismail Kadare “Prilli i thyer”. Thyerja e prillit 2022 u bë prej disa ngjarjesh të rënda e të cilat do t’i përflasim në këtë artikull.
Ra ky mort e u pamë
Një ditë para përvjetorit të 23 të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake të Jugosllavisë, vdiq ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright. Pra, më 23 mars. Ajo do të varrosej vetëm këtë të mërkure, më 27 prill, për t’i dhënë një shkas kryeministrit tonë Albin Kurtit që të kapërcente oqeanin Atlantik.
Udhëtimi i kryeministrit Kurti duhej të ishte një lajm i mirë për Kosovën, por ja që nuk ishte. Ky udhëtim drejt funeralit të z. Albright përfundoi pa asnjë takim të vetëm zyrtar me ndonjë zyrtar të lartë të administratës së Joe Biden, lëre më presidentin Joe Biden. Kurti ishte përkrah presidentes Vjosa Osmani, dhe të cilët në funeral megjithatë ia dolën që të shkrepnin disa fotografi. Një prej tyre që bëri një farë buje në Kosovë, ishte ajo me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Po ashtu, fotografi u shkrepën edhe me çiftin Bill dhe Hillary Clinton.
Nga i gjithë ky udhëtim shterp i kryeministrit megjithatë mbetet një premtim. Premtimi se ai do të bënte një udhëtim dyjavor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku do të mbante takime të rëndësishme.
Ra Donfriedi
Veç një ditë para se Kurti të nisej për në Amerikë, atij do t’i vinte në vizitë vartësja e z. Blinken dhe shefja e Gabriel Escobarit, Karen Donfried. Ajo do të shprehte haptas (sic.) urgjencën e dialogut me Serbinë duke deklaruar se status quo-ja i konvenonte vetëm Rusisë.
Karen Donfried do ta takonte në Kosovë edhe presidenten Vjosa Osmani, para se të nisej për në Serbi. Nuk ishte vetëm Kurti që doli i mrrolur nga takimi me Ndihmës-Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropiane dhe Evroaziatike. Vuçiq u shpreh se “nuk pret kohëra të lehta për Serbinë nën administratën e presidentit amerikan Joe Biden”.
Ra Murphy
Dhe... “na ra” edhe një senator i partisë së Joe Bidenit (Demokrat). Është fjala për Chris Murphyn, i cili kishte vizituar Kosovën para më shumë se dy javësh. Për fat të keq, edhe atij do t’i linte përshtypje të keqe (sic.) “kokëfortësia” e kryeministrit të Kosovës sa i përket dialogut me Serbinë.
“Kosova do të dëshironte të anëtarësohej edhe në NATO edhe në Bashkimin Evropian, por që kjo të ndodhë, Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje në të cilën të dyja të njohin ekzistencën legale të shtetit tjetër. Një dialog drejt këtij qëllimi është në proces, por si qeveria serbe ashtu edhe ajo e Kosovës nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm dhe së fundmi, qeveria e Kurtit ka qenë veçanërisht kokëfortë rreth vazhdimit të bisedimeve”, ka thënë senatori Murphy.” – ishte shprehur z. Murphy.
Ra Martin Berishaj
Martin Berisha vazhon të na bie përditë, prej që doli skandali i madh me shpëlarjen e 600 mijë eurove.
Ambasadori i Kosovës në Zagreb nuk është shkarkuar ende, dhe madje vazhdon të mbrohet fuqishëm nga partia në pushtet.
Gjatë kësaj jave, pati një seancë parlamentare ku Vetëvendosje u përpoq të neutralizonte përpjekjen e opozitës për themelimin e një komisioni hetimor për çështjen e energjisë përmes një komisioni tjetër hetimor që s’do të përfshinte thjesht rritjen e faturave gjatë dimrit që shkoi por gjithçka që kishte ndodhur me energjinë prej vitit 2006.
Natyrisht, në seancë jehoi fort emri i ambasadorit Martin Berishaj, sidomos nga ana e opozitës por sidoqoftë përshtypje la sidomos mënyra se si ai mbrohej nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ra Obligimi
Pas asaj të pameje pas atij morti, kryeministri do të kthehej në Kosovë dhe mes tjerash do të obligonte Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të zhvillonte negociatat me Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave për anëtarësim.
Por, kishte një problem... madje, problem të madh! Kosova ishte pjesë e kësaj organizate prej vitit 2015.
“Anëtarësimi ka qëllim promovimin e Republikës tonë, zgjerimin e bashkëpunimit me vendet pjesëmarrëse, prezantimin e avantazheve për investime në Kosovë, si dhe potencialit prodhues e eksportues të vendit”, thuhej në vendimin e Qeverisë.