Prezantimi i punës katërvjeçare nga Kurti dhe kritikat e opozitës: Çka u tha deri më tani në Kuvend?
Kuvendi i Kosovës po vazhdon me seancën plenare ku po diskutohet puna katër-vjeçare e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti. Në seancë kryeministri i Kosovës me mburrje tregoi për të arriturat e qeverisjes së tij në sektorë të ndryshëm, ndërsa partitë opozitare parlametare e kritikuan për mospunë Qeverinë Kurti, teksa ia përmenden aferat korruptive.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka lavdëruar zhvillimin ekonomik në qeverisjen e tij. Ai ka thënë se krahasuar me vitin 2008, ekonomia është shtatë herë më mirë.
“Pra, në vitin 2024, krahasuar me vitin 2000 është shtatë herë më e lartë ekonomia e vendit tonë. Ndërkaq krahasuar me vitin 2008,, kur është shpallë pavarësia, ekonomia është tri herë më e madhe sesa atëherë. E krahasuar me vitin e parë parapandemik 2019, është 50% më e madhe”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një deklaratë interesante për mungesën e njohjeve.
Ai tha se nuk kanë premtuar njohje, andaj kritikat janë të padrejta.
“Kemi kaluar me sukses Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Jemi anëtarësuar në 10 organizata ndërkombëtare. As liberalizimin e vizave as njohjet e reja nuk i kemi premtuar në fushatë, duhet të na matni me zotimet tona që kemi dhanë në fushatën e vitit 2021. Mos të bëjmë zhurmë, ku flasim sikur të shurdhër, do të iu dëgjoj të gjithëve. Më dëgjoni sepse më keni thirrur ju në raportim. Pa premtuar anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jemi anëtarësuar në 10 sosh”, tha Kurti.
Ai foli edhe për rritjen e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtje, për Bujqësinë, Shëndetësinë, Arsimin e për komunat.
Mirëpo, ky deklarim i Kurtit nuk u prit mirë nga partitë opozitare.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka përmendur emigrimin e kosovarëve gjatë qeverisjes katërvjeçare të Albin Kurtit.
Ai ka përmendur ikjen e qytetarëve duke thënë se për katër vite kanë ikur rreth 130 mijë punëtorë Kosovën
Tahiri përmendi me shifra ikjen e qytetarëve duke thënë se është fotografia më e dhimbshme e kësaj qeverie.
“Realisht fenomeni më i dhimbshëm është emigrimi, shprazja e Kosovës, gjatë katër vitetve nga viti 2021 e 2022 del që rreth 50 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën cdo vit… rreth 130 mijë punëtorë e kanë lëshuar Kosovën. 41 për qind e shtëpive në Istog janë të pabanuar, Klina i ka 40, Lipjani 30 për qind e kështu me radhë dhe mbi 35 për qind në krejt Kosovën janë të pabanuar.” – ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe ikjen e mjekëve, infermierëve, duke thënë se fatkeqësisht Kosova është zvogëluar në popullësinë e saj.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka ironizuar me fjalimin e kryeministrit Kurti në Kuvend.
“Një gjë është e sigurt, kryeministri e ka pas fjalimin më të gjatë në historinë e parlamentarizimit. E pamë si drejtor i një ndërmarrje publike, e pamë si drejtor i spitalit në Pejë, e pamë si drejtor në çerdhe, e pamë si drejtor në stacion të Policisë, asnjëherë si kryministër. Sot si deputet të këtij Kuvendi kemi për detyrë të trajtojmë zotimet e bëra nga qeveria dhe përmbushjen e tyre në sektorët kyç të vendit tonë”, ka thënë Gashi, raporton Nacionale.
Gashi ia kujtoi premtimet që sipas tij, qeveria ka dështuar.
“Kishte premtuar shuarjen e Agjencisë së Privatizimit, privatizimi po vazhdon, kryeministri ka dështuar. Ke dështu me Bankën Zhvillimore. Ka premtuar skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, nuk është realizuar ke dështu. Ka premtuar revitalizimin e Trepçës nuk është realizuar, ke dështu. Siguria në punë, qeveria premtoi përmirësimin e kushteve të punës, pesëfishimin e inspektorëve, asnjë prej tyre nuk ka ndodhur”, tha Gashi.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka nisur seancën e Kuvendit ku po diskutohet për qeverisjen Kurti II.
Tahiri i ka numëruar të gjitha, siç i ka quajtur ai, skandalet ku është përfshirë qeveria.
“E para lidhet me faktin se kjo qeveri është rekorde për shkelje kushtetuese. 9 raste janë të konfirmuara ku është shkelur Kushtetuta. Skandali i dytë ndërlidhet me një ndër problemet dhe skandalet më korruptive me tenderët njëburimorë. Kjo qeveri ka lidhur mbi 2 mijë e 100 kontrata, me procedurë të negociura, pa publikim të njoftimit të kontratës. Skandali i ambasadorit Martin Berishaj dhe pazareve me energjinë, për të cilat qeveri duhet të deklarohet a ka qenë në dijeni, duke ditur afërsinë e tij që është publike. Çështja 4 ndërlidhet me skandalin në KEK, Nagip Krasniqi ka aktakuzë, rasti është në Prokurori e hajnia është marramendës ku parapolitika tregon kur ndalet e lëshohet rryma.”
“Duhet të tregojë për skandalin në RTK, duke i lidhur mediat me akuza problematike për gazetarë. Qeveria duhet të tregojë si e humbi rastin me Contur Global. Duhet të tregojë për skandalin lidhjen e veteranëve, a ka qenë ai që ka urdhëruar kryetaren e grupit që të flet me Radoiçiqin. Kryeministri duhet të tregojë pse sot Kosova është e vetmja nën sanksionet e BE-së, si është e mundur për 4 vjet kama e tij të mos shkel në State Departament, as në Pentagon, as në Shtëpinë e Bardhë. Sot duhet të tregoj si është e mundur që rreth 2 milionë euro investime kapitale të mos shpenzohen, asnjë rrugë të mos përfundojë.” – ka thënë Tahiri.
Pas prezatimit të Kurti, deputetët e pushteti dhe ata të opozitës po vazhdojnë me akuza e kundër akuza ndaj njëri-tjetrit.
Ndër këto akuza ishte edhe rasti i sulmit në kanalin e Ibër Lepencit.
Gjithçka rreth seancës së Kuvendit mund të lexoni duke klikuar KËTU.