Pretendoi se shëron autizmin me barëra të kafshëve, policia interviston Arianit Sllamnikun
Policia e Kosovës dhe Prokuroria janë aktivizuar pas pretendimeve publike të Arianit Sllamnikut, i cili ka deklaruar se shëron probleme shëndetësore përmes disa metodave që shkenca nuk i njeh.
E këto deklarata kishin nxitur reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi që Sllamniku po pretendonte diçka të cilën shkenca ende nuk e kishte vërtetuar.
Sllamniku kishte deklaruar se shëron edhe sëmundjet që lidhen me pjesën neurologjike të fëmijëve, përfshirë këtu edhe autizmin.
Ani pse shkenca dhe mjekësia botërore deri më tani nuk ka arritur të gjejë shërim për autizmin, Sllamniku nga Gjilani ishte deklaruar publikisht për lajmi.net se ka përdorur edhe barëra të kafshëve, për të trajtuar autizmin tek pacientët.
Pas këtij raportimi, dje kishte reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila iu ka bërë thirrje qytetarëve që të besojnë vetëm në metoda të verifikuara shekncërisht, të ofruara nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë.
Ministria ka bërë të ditur dje se ka informuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e rastit.
Pas kësaj, sot më datë 20 janar, burime të lajmi.net kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës ka intervistuar Sllamnikun dhe ka kryer kontrolle në lokacionin ku dyshohet se Sllamniku ka bërë këto trajtime.