Pretendohet se në tokën e shpronësuar në Leposaviq po ndërtohet stacion policor
Ndërsa kanë kaluar pesëmbëdhjetë ditë që kur qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpronësim të tokës në komunën e Leposaviqit, për realizim të projekteve infrastrukturore, është raportuar se gjatë ditës kanë nisur edhe punimet në dy fshatra të kësaj komune, Dren dhe Leshak.
Sipas medias serbe në Kosovë, Kossev, nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Veton Elshani ka thënë se aty është duke u ndërtuar një stacion policor.
Kossev shkruan se të njejtat pohime i ka bërë edhe Kryetari i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve.
Që nga mëngjesi i sotëm mediat serbe kanë raportuar për makineri të rënda që kanë nisur punimet, ndërkohë që është thënë se ka edhe prani të pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, disa media, mes tyre edhe media serbe e afërt me regjimin RTS, kanë raportuar se në këtë vend jane mbledhur qytetarë për të protestuar kundër punimeve.
Edhe ish-kryetari i komunës Zoran Todiq ka thënë për Kossev, se askush nuk i kishte njoftuar paraprakisht për punimet, ndërsa ka shtuar se vetë ai dhe shumë banorë kanë bërë kërkesë në polici që të ndërpriten ato, në mënyrë që të mos lejohet ndërtimi i një baze të policisë.
Më herët gjatë ditës, lidhur me këto punime ka pasur reagim edhe nga drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq, i cili akuzoi kryeministrin Kurti se ka synim të ngrisë tensione dhe kriza të reja.

