Presione në terren, alarm për shoqërinë: Çka po ndodh me grevën?
Greva e Përgjithshme ka hyrë në javën e katërt, me nxënësit kosovarë që nuk e nisën procesin mësimor as sot. Por, çka po ndodh me grevistët dhe a ka shenja dorëzimi?
Derisa dialogu social mungon, pushteti duket se ka nisur punën intensive në terren për të bindur mësimdhënës e drejtorë shkollash që të nisin procesin mësimor. Dhe, ka pasur lëvizje e ka lëvizje të caktuara.
Janë disa shkolla në komunën e Gjakovës, një shkollë në komunën e Fushë Kosovës dhe një klasë në komunën e Vitisë që raportohet të jenë duke zhvilluar mësimin aktualisht. Por, e gjithë pjesa e mbetur vazhdon të grevojë.
Presione në terren
Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj, dje i tha gazetës Nacionale se Arbërie Nagavci (ministre) dhe Mimoza Kusari (shefe e grupit parlamentar të VV-së) kishin ushtruar presion që ‘rrethimi’ (grevist) të çahej në Gjakovë.
“Zonja Nagavci dhe zonja Kusari Lila kanë bërë angazhime, e angazhime, presione, e presione nga Gjakova, prej nga vijnë. Ka pasur presione edhe në Kamenicë, edhe Gjilan. Kemi informacione që Kusari goxha shpesh ka shkuar në Gjakovë... Zonja Nagavci vazhdimisht ka shkuar në Gjakovë, dhe komuna tjera,” – na tha Jasharaj.
Javën e kaluar, pati një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryesindikalistit Rrahman Jasharaj por i cili nuk ofroi asnjë rezultat. Në fakt, i vetmi rezultat që rrodhi nga ai takim ishte ‘brumi’ për pak bullizëm për kryeministrin Kurti. Në të paktën dy raste, ai kishte ‘shtrembëruar’ të folmen e Jasharajt të përdorur gjatë takimit për të dëmtuar reputacionin e tij.
“Na ndihmo si kryeministër, si mik, si vëlla,” – i kishte thënë Jasharaj, kërkesë së cilës kryeministri i ishte përgjigjur në mënyrë të papranueshme.
Përgjigja e kryeministrit Kurti ndaj grevës është konsideruar përgjithësisht “e pakuptueshme”.
Aktivistja Donjeta Demolli nga PSD, javën e kaluar i tha Nacionales, se Kurti mund të jetë duke dashur që të kapte gjithë shoqërinë.
Alarm për shoqërinë?
“Kurti po e korrë zhgënjimin e vjetër të qytetarëve ndaj qeverisjes dhe figurave të vjetra publike. Jo veç që po e korrë, me u shpreh figurativisht, por pas të korrave po e djeg arën. Sepse vet fakti që i është dhënë besimi, ai nuk mundet me e luftu dhe çrrënjosë çdo qelizë organizative të shoqërisë sonë. Lufto gjithëkë qenia politike e të cilit nuk buron, nuk inspirohet a nuk i nënshtrohet pushtetit tim.”
Ajo reagimin e kryeministrit ndaj grevistëve e quajti “alarm për shoqërinë kosovare”.
Rrahman Jasharaj është provuar të lidhet nga eksponentë të ndryshëm të pushtetit me grupe kriminale, Serbinë, partitë opozitare por edhe me gjendjen e keqe në arsimin parauniversitar dhe universitar.
Në anën tjetër, inflacioni ka varfëruar vazhdimisht mësimdhënësit tash e një vit, derisa pagesat ndihmuese nga Qeveria e Kosovës mungojnë.

