“Presion publik”, “injorancë”: VV-ja kritikohet ashpër pas qëndrimeve në lidhje me KPM-në
Sot është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Kosovës, e cila ishte thirrur nga katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në të të ftuar ishin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë mbledhje kanë kërkuar shkarkimin e bordit të KPM-së dhe kjo sjelli shumë reagime.
Juristja e mediave, Flutura Kusari ka reaguar në lidhje me dëgjimin “mbikëqyrës” për Komisionin e Pavarur për Media, i organizuar nga deputetët e VV-së sot.
Kusari ka thënë se kjo ishte ndërhyrje e frikshme politike në pavarësinë e KPM-së.
“Dëgjimi "mbikqyrës" për Komisionin e Pavarur për Media, i organizuar sot nga deputetët e VV-së të komisionit parlamentar për media, ishte ndërhyrje e frikshme politike në pavarësinë e KPM-së. Në dëgjim u përmend edhe iniciativa e VV-së për të shkarkuar anëtarët e pavarur të KPM-së. Tronditëse.” – thuhet në reagim.
Ajo tutje ka thënë se pavarësia e një institucioni kushtetues nënkupton që anëtarët i marrin vendimet sipas bindjeve dhe profesionalizmit të tyre, jo sipas tekeve të deputetëve.
“Pavarësia e një institucioni kushtetues nënkupton që anëtarët i marrin vendimet sipas bindjeve dhe profesionalizmit të tyre, jo sipas tekeve të deputetëve. Thirrja me urgjencë e anëtarëve të KPM-së që t'i japin shpjegime deputetëve është njëjtë sikur deputetët t'i ftojnë gjykatësit t'i shpjegojnë vendimet e tyre në Kuvend. I përgëzoj anëtarët e KPM-së për prezantimin profesional, për argumentimin fantastik ligjor dhe për ruajtjen e profesionalizmit derisa u sulmonin pa bazë dhe ashpër nga ana e deputetëve për konsum të votuesëve. Jam krenare me prezantimin e shumicës së përbërjes së KPM-së. Të gjithë duhet ta mbrojmë KPM-në.” – thuhet në reagimin e saj.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Ehat Miftaraj nga IKD-ja, ku ka thënë se kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti dhe shumica e anëtarëve të tjerë të këtij institucionit sot dëshmuan integritetin, profesionalizëm dhe zbatim të Kushtetutës dhe ligjit në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme.
Ai tutje ka thënë se deputetet e VV-së dëshmuan injorancë dhe ndërhyrjen në pavarësinë e KPM-së
“Jeton Mehmeti, Kryetar i Komisionit të Pavarur për Media dhe shumica e anëtarëve tjerë të këtij Komisioni sot dëshmuan integritet, profesionalizëm dhe zbatim të Kushtetutës dhe ligjit në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme. Deputetet e LVV dëshmuan injorancë dhe ndëhyrje në pavarësinë e KPM. Injorancën dhe ndërhyrjën provuan ta paketojnë më patriotizëm dhe tradhëti kombëtare në mënyrën më primitive të mundshme.” – ka thënë Miftaraj.
Rreth mbledhjes së sotëm, kanë reaguar edhe disa organizata, duke përfshirë këtu edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, për ndërhyrjen politike në punën e Komisioni të Pavarur të Mediave.
Përmes një komunikate për media, thuhet se mbledhja e Komisionit Për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është përcjellur me shqetësim të thellë, sidomos pasi mbledhja ishte ftuar nga katër deputetë të VV-së.
“Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme nuk ishte përcaktuar agjenda e takimit dhe as nuk iu ishte komunikuar ndonjë agjendë anëtarëve të KPM-së, të cilët ishin ftuar në raportim, mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të interesuar lidhur me monitorimin e kësaj mbledhjeje të Komisionit.” – thuhet tutje.
Aty përmendet që deputetët e VV-së për katër orë kanë ushtruar presion publik ndaj anëtarëve të KPM-së.
“Dëgjimi “mbikëqyrës” i deputetëve të Kuvendit të Kosovës i përcjellur me sulme dhe etiketime ndaj anëtarëve të KPM-së, përveç se ka shkelur pavarësinë institucionale, po ashtu ka cenuar edhe integritetin dhe dinjitetin personal të anëtarëve të këtij institucioni kushtetues. Kjo sjellje e partisë në pushtet prodhon mosbesim të qytetarëve në institucionet e pavarura dhe në punën e KPM-së.” – shkruan mes tjerash.
“Dëgjimi “mbikëqyrës” ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e LVV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së me qëllim të frikësimit të tyre, denigrimit publik dhe shtrimit të rrugës për shkarkimin e tyre. Kjo ndërhyrje duhet të shihet si sulm në pavarësinë e një institucioni që Kushtetuta e parasheh të jetë i pavarur dhe përgatitje e kapjes politike në tërësi nga ana e VV-së të këtij institucioni posa të kompletohet korniza ligjore që tashmë është në Kuvend.” – thuhet tutje.
Në fund, deputetët e VV-së janë ftuar që t’i ndalin sulmet ndaj pavarësisë së këtij institucioni.