Presidentja s’ua njeh Pecëve Darkën e Lamës - NACIONALE

Presidentja s’ua njeh Pecëve Darkën e Lamës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një tjetër mosmarrëveshje mes Qeverisë dhe Presidencës ka dalë në pah. Kësaj radhe, bëhet fjalë për organizimin e Darkës së Lamës. Derisa presidentja Vjosa Osmani kishte pasur një organizim të tillë më 26 tetor, Qeveria e Kosovës, më konkretisht ministria e Bujqësisë, Faton Peci, e organizoi sërish gjatë mbrëmjes të së hënës, pra më dy dhjetor.

Megjithatë, këtë organizim nuk po e njeh Presidenca e Kosovës. Bekim Kupina, këshilltar për media e Osmanit, në një postim të shkurtër në rrjetin social Facebook, ka thënë shumë.

Ai ka publikuar pamje nga organizimi i Osmanit, duke shkruar:

“Darka e Lamës 2024 (26 tetor), nën patronatin e Presidentes Vjosa Osmani, sikurse edhe çdo vit tjetër!”.

Pra, Kupina postimit i ka vendosur edhe datën, dhe ka treguar se ky organizim bëhet vetëm nën patronatin e presientes Osmani.

Peci ndërkohë, në një postim të tij ka thënë:

“Mbrëmjen e sotme shënuam një traditë të lashtë dhe të çmuar; Darkën e Lamës, një moment reflektimi dhe falënderimi ndaj Zotit dhe natyrës për begatinë e vitit që po lëmë pas.

Ky ritual ka shërbyer për shekuj me radhë si shprehje mirënjohjeje për frytet e tokës dhe mundin e njerëzve që e kultivojnë atë”.

Shefi i AKI-së, i pranishëm në darkë

Në darkën e organizuar nga Peci, i pranishëm është parë edhe shefi i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Petrit Ajeti.

Kjo pjesëmarrje e tij është kritikuar nëpër rrjete sociale. Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se pas situatës në veri, Ajeti është dashur të dorëhiqet.

“Ky kryespiuni që nuk dha dorëheqje pas dështimit në veri, do të duhej të ishte të pakten duke e hetuar Pecin për krim dhe korrupsion, i cili sonte na qenka veshur si Rugova, jo të hajë bashkë me të aty. Kjo foto është presion ndaj Prokurorisë së Shtetit. As vetë nuk do të duhej t’i shpëtonte kësaj të fundit, sepse është i implikuar goxha thellë në skandalin e rezervave shtetërore. Lamë shteti, bamë zyrtarët!.”ka shkruar ai.

Çka është Darka e Lamës?

Darka e Lamës është festë tradicionale shqiptare dhe ndryshe njihet edhe si “Darka e bereqetit”. Zakonisht, mbahet në fund të muajit tetor kur vjelën punët verore.

Kjo festë e moçme tradicionale u rikthye në skenë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova në vitin 2002.

Njihet si e lamës, sepse “lama” ka qenë vendi i rrafshët në fshatra malore, ku janë shirë të korrat, kryesisht të misrit. Ndërsa në fushë ka marrë emrin “darka e fushës”, pasi janë vjelë të mirat e saj.

Zakonisht përveç politikanëve vendorë, në organizimin tradicional fotohen edhe zyrtarë të ambasadave, KFOR-it e intelektualë të tjerë.

Darka e lamës organizohet nën patronatin e Presidentit të shtetit dhe mbledhë figurat më eminente të politikës.

Lajme të ngjashme