Presidentja përkujton Aganin: Sjellja e kriminelëve para drejtësisë do të jetë përkushtim i ynë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin. Në 24-vjetorin e vrasjes se akademikut Agani, ajo ka vlerësuar lartë kontributin e veprimtarit të njohur.
“Sot e kujtojmë me respekt akademik Fehmi Aganin, figurën emblematike të lëvizjes për lirinë e Kosovës, njeriun që përkushtimin e tij ndaj dijes e arsimit e kombinoi me aktivitetin politik, duke qenë dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, me të cilin u angazhua deri në vdekje në përmbushjen e idealit për Kosovën shtet të pavarur. Më 6 maj të vitit 1999, në agun e lirisë, vizionari e përbashkuesi, akademik Agani u vra mizorisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë”, ka thënë Osmani, sipas një deklaratës së Presidences.
Sipas saj, trashëhimia e akademik Aganit do të jetë frymëzim për breza.
“Vizioni dhe trashëgimia e tij për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat. Kujtimi për akademik Aganin do të jetë i përhershëm, kurse sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm!”, është shprehur ajo.