Presidentja Osmani në konferencë me kryeministrin e Bahamas: Ditë historike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur konferencë për media me kryeministrin e Bahamas.
Osmani e ka quajtur ditën e sotme si historike.
“Zotëri kryeministër, më lejoni të filloj duke shprehur mirënjohjen e thellë të gjithë popullit të Republikës së Kosovës për këtë nder të madh që na keni bërë, duke na dhënë mundësinë të vijmë në vendin tuaj të mrekullueshëm, të vendosim marrëdhënie diplomatike dhe të marrim njohjen nga ana juaj për Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”, ka thënë Osmani në konferencë.
“Ne jemi një komb që ka vuajtur shumë për të arritur deri në këtë ditë. Ka pasur aq shumë sakrifica nga një brez te tjetri. Prandaj, për ne kjo është një ditë me rëndësi historike — që në emër të një kombi që ka duruar kaq shumë, të vijmë në vendin tuaj të mrekullueshëm, të kemi mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj, të nënshkruajmë marrëdhënie diplomatike dhe të marrim njohjen tuaj, e cila besoj se është fillimi i një partneriteti të madh’’, ka thënë Osmani.