Presidentja në CNN, çka foli Osmani në intervistën e ndërprerë në gjysmë?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka zhvilluar një intervistë për medien e njohur amerikane CNN. E para e vendit u intervistua nga gazetarja me famë, Christiane Amanpour, e cila e pyeti për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon.
Ajo çfarë ra në sy, ishte mos përfundimi i intervistës së Osmanit. Për një moment, përdërisa e para e shtetit po fliste, sinjali i presidentes Osmani ra dhe moderatorja u dëgjua të thoshte se “u ngri lidhja”.
Megjithatë, Osmani për aq minuta sa ishte në lidhje, foli për shumë çështje, por me thekst të veçantë shefja e shtetit kosovar u ndal në gjendjen e sigurisë në Kosovë e Ballkanin Perëndimor pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Ajo foli posaçërisht për pozicionin e Serbisë kundrejt luftës më të madhë në kontinentin evropian pas luftës së dytë botërore.
Presidentja Osmani nuk ngurroi të flasë për pozicionin e Kosovës duke nënvizuar se shteti kosovar do të vazhdojnë të qëndrojë si vend i pavarur e demokratik. Madje, Osmani tha se një gjë e tillë do të ndodh përkundër që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet sovran.
Sikurse në secilën paraqitje tjetër në media të huaja, Osmani kritikoi homologun e saj, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka ndjekur një politikë me dy kahje duke tentuar të mbajë balancë ndërmjet Perëndimit e Rusisë.
E bash këtë politikë të Vuçiqit, Osmani e kritikoi në CNN duke e rikujtuar faktin se presidenti aktual serb ishte ministër i Propagandës në regjimin e Millosheviçit.
“Më lejoni t’ia kujtoj secilit që Presidenti aktual i Serbisë ka shërbyer si Ministër i Propagandës për regjimin e Millosheviqit, kështu që ai është shumë i zoti për të bërë atë lloj propagande që mbështetet nga Rusia. Në këto 10 vitet e fundit, ai ia ka dalë ta rris bashkëpunimin ushtarak, politik dhe ekonomik me Rusinë, në nivele që nuk kanë ekzistuar asnjëherë më parë”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka deklaruar se Vuçiq përkundër që flet kundër luftës, nuk ka marrë asnjë vendim apo sanksione kundër Rusisë apo Bjellorusisë, vendit satelit të Kremlinit.
E para e shtetit ka përmendur faktin se Serbia është i vetmi vend në Evropë ku mbahen tubime pro Putinit.
“Ai mund të votojë për këto rezoluta, por kur është çështja që të bëhen veprime kundër Rusisë, Bjellorusisë, kundër ekonomisë së tyre apo çfarëdo qoftë, kurrë nuk ndërmerr veprime. Në fakt Beogradi është kryeqyteti i vetëm në botë, ku janë organizuar tubime pro-Putinit, me mbështetjen e plotë të Qeverisë dhe opozitës”, ka thënë Presidentja Osmani.
Tutje, duke folur për shtetin fqinj verior, Osmani ka deklaruar se bashkëpunimi ekonomik, politik e ushtarak ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është rritur viteve të fundit.
Osmani nënvizoi se numri i ushtrimeve ushtarake ndërmjet Rusisë e Serbisë është rritur shumë gjatë dy viteve të fundit.
“Në 10 vjetët e fundit, ai ka arritur të rrisë bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivelin që nuk ka qenë asnjëherë më parë. Vetëm një shembull, në vitin 2012 numri i ushtrimeve ushtarake mes Serbisë dhe Rusisë ka qenë 2 në vit, derisa tani është më shumë se 100 në vit. Ditëve të sotme shohim marrëveshje për blerjen e armëve mes Serbisë dhe Rusisë, si dhe Serbisë dhe Kinës, dhe kjo na shqetëson të gjithëve në rajonin tonë”, shtoi Osmani.
“Ne shohim marrëveshje për blerje ushtarake ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Serbisë dhe Kinës, e cila gjë na shqetëson të gjithë neve këtu në rajon. Sepse sa më shumë armë që blejnë, aq më shumë ngriten përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar rajonin”, deklaroi Osmani në CNN.
Por, gjatë intervistës Osmani ka komentuar edhe situatën e luftës në Ukarinë, që po vazhdon për më shumë se 40 ditë.
Osmani tha ndër të tjerash se lufta në Ukrainë do të ndikojë edhe në rajonin ballkanik, pavarësisht që territorialisht këto dy hapësira gjeografike janë larg.
“Ne jemi larg me territor me Ukrainën, por kjo do të ndikojë edhe në rajonin tonë, sepse mentaliteti i imperializmit që Rusia po mundohet të instalojë edhe në Ballkan mund ta destabilizojë shumë rajonin, ku jemi edhe ne si shtet. Këtë po mundohet ta bëjë me Serbinë, të cilën Rusia e sheh si një aleat të saj”, ka deklaruar Osmani për CNN.
Duke folur për luftën në Ukrain, presidentja Osmani tha se masakrat që po ndodhin kundër qytetarëve ukrainas i ngjajnë me ato që Serbia i kreu në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
“Ne e pamë se cfare ndodhi në Bucha, është e njëjta ngjarje sikur qe ka ndodhur në Kosovë dhe pamë se cfarë mund të bëjnë njerëzit, madje në Kosovë ka ndodhur jo vetëm një herë, por ka ndodhur disa raste kur kemi parë masakra të tilla”, tha Osmani në CNN.
Tutje ajo ka përmendur masakrën e Poklekut në Kosovë si rast që ngjan me atë në Bucha duke shtuar se Kosova e Bosnja janë përballur me mohimin e gjenocidit të ushtruar ndaj tyre.
“Fatkeqësisht në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë jemi përballur me mohimin e gjenocidit. Nuk kemi parë drejtësi për viktimat e luftës akoma”, theksoi presidentja Osmani.
Kujtojmë që kjo është intervista e dytë në pak muaj e Presidentes Osmani për CNN.
Ditë më parë, një intervsitë për CNN e dha edhe kryeministrit Albin Kurti i cili foli për anëtarësimin e Kosovës në NATO e shumë tema të tjera.
"Në të njëjtën kohë e kemi dënuar invazionin rus dhe agresionin ushtarak por jemi shumë mirë të vetëdijshëm që NATO-ja përfaqëson siguri për krejt anëtarët e vet.Kosova nuk është ende anëtarë e NATO-s, por NATO-ja është brenda Kosovës. Qëllimi ynë është që të futemi në një partneritet për programin e paqes”, tha Kurti.