President i KE-së kërkon nga Kosova “përmbushjen e zotimeve të marra” në dialog me Serbinë
- “Njëherë deeskalimi në veri të Kosovës, pastaj heqja e masave ndëshkuese të BE-së – Kosova e ka vendin në BE, por kërkohet përmbushja e zotimeve të marra në dialogun me Serbinë”.
Ishin këto dy mesazhe kryesore që Presidenti i Këshllit Evropian, Antonio Costa, i dha në konferencë për media të përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Costa foli në terma përgjithësues për të ardhmen evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe procesin e zgjerimit, ndërsa për Kosovën e ndërlidhi atë me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi përmes procesit që ndërmjetësohet nga Brukseli.
“I mirëpres fjalët për dialogun Beograd – Prishtinë. Është jetike të bëni përparim real dhe të prekshëm në dialog dhe të normalizoni marrëdhëniet”, tha Costa.
“Është në të mirën e të ardhmes suaj evorpiane. Kosova e ka vendin në familjen evropiane, por po ashtu kërkon nga ju që t’i përmbushni zotimet tuaja. Me përfaqësuesin e ri Sorensen, është koha të shfrytëzoni mundësinë”, tha ai.
Për çështjen e sanksioneve – të quajtura me fjalë përzbutëse si: masa ndëshkuese – Costa iu referua “nevojës për deparshkallëzim”.
“Pas deeskalimit mund të lëvizim dhe të heqim këto masa. Dhe shpresoj që zhvillimet e fundit të mos përfaqësojnë trend të ri...”.
Deklarimi i Vjosa Osmanit
Osmani kërkoi heqjen e masave ndëshkuese “të padrejta” ndaj vendit, të vendosura tash e afro dy vite – për çka tha se kërkesat e hartuara nga BE për heqjen e tyre “Kosova i ka plotësuar”.
“Çdo minut që qëndrojnë janë padrejtësi ndaj Kosovës”, tha Vjosa Osmani.
Mes tjerash Osmani kërkoi shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të 2022’ës “e që të mos mbetet dokument i arkivuar”.
“Është koha po ashtu që Kosovës t’i trajtohet aplikimi për BE, të mos mbetet vetëm dokument i arkivuar, por që ky aplikacon të trajtohet me prioritet.
Mbi të gjitha, mosnjohja nga pesë vendet e BE-së: shpresoj që këta shtete...do ta trajtojnë aplikimin tonë (për BE) si çështje strategjike të BE-së. Kosova është shtet sovran i lirë dhe i pavarur”, tha Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës kërkoi që me emërimin e emisarit të ri të për dialogun Kosovë – Serbi, vendi të trajtohet si “palë e barabartë” dhe të ketë “qasje të balancuar”.
Rezultati përfundmtar i këtij procesi, tha ajo, “ne jemi të bindur se duhet të jetë njohja reciproke”.
“Dialogu me Serbinë që ndërmjetësohte nga BE, tash me emisar të ri, shpresojmë që të sjellë frymë të re, me trajtim të barabartë të palëve në proces. Në Kosovë jemi të bindur se fokusi duhet të jetë njohja reciproke Kosovë – Serbi, sepse përndeyshe nuk kontribuon në paqe”, tha Osmani.
“Vizioni juaj për zgjerimin e BE-së…është më i domosdoshëm se kurrë. Nevoja për hapa të guximshëm është domosdoshmëri. Kosova është e gatshme për BE-në...qytetarët tanë janë më pro-evropianët në tërë kontinentin tonë.
Presim që nën udhëheqjen tuaj të bëjmë hapa para, dhe Kosovës t’i hapet përfundimisht rruga drejt BE-së. Shpresojmë që shtetet anëtare të pajtohen të hiqen masat e padrejta ndaj nesh, që po dëmtojnë Kosovën. Tash dy vite janë masat, çdo minutë është padrejtësi”, tha mes tjerash Vjosa Osmani.