‘Preke pushtetin, pushteti ta tregon vendin’: Degradimi i dy hetuesve të korrupsionit qeveritar shkakton valë reagimesh
- “E heton VV-në – të pret hakmarrja”.
Vetëvendosja e ngjitur në pushtet me zell ‘kampionësh’ të luftimit të korrupsionit tash e ka kthyer tryezën mbrapsht: degradimin dhe heqjen e policëve hetues që lentet e hetimit i kanë te korrupsioni i tyre. Nacionale ekskluzivisht raportoi se dy hetues policorë të korrupsionit të profilit të lartë – në rastet: Rezervat Shtetërore të Rozeta Hajdarit, Martin Berishajn dhe Faruk Mujkën – janë degraduar si-mos-më-keq nga pushteti i Vetëvendosjes në detyra krejt periferike dhe jo të shtatit të tyre. Sepse subjekt hetimi korrupsionit figura të larta partiake të veta. Arsyetimi: transferim i tyre “për nevoja operacionale”.
Doarsa Kica-Xhelili e Lidhjes Demokratike të Kosovës këtë e përkthen në terma të thjesht pushteti dhe ndëshkimi: “E heton VV-në – të pret hakmarrja”. Dhe degradimi i njërit, për nga tajmingu, përsosmërisht para se të thirrej Rozeta Hajdari nga Prokuroria Speciale: ku ka vendosur brenda të mbrohet në heshtje, por që jashtë të sulmojë organet e ndjekjes me zë.
“Kur policët ndëshkohen pse hetojnë qeverinë demokracia nuk është më funksionale. Është fasadë. Në Hungari, hetuesit e papërshtatshëm zëvendësohen. Në Rusi, largohen. Në Venezuelë, shtypen. Kudo, mesazhi është një: Preke pushtetin – dhe pushteti t’a ‘tregon vendin’”, shkroi Kica-Xhelili.
“Sot degraduan dy hetues. Nesër mund të jetë një prokuror. Pasnesër – gjyqtari. Në fund, je ti në radhë nëse nuk je mjaftueshëm i dëgjueshëm. Prandaj zgjedhja është e thjeshtë: Ose je me ata që nënshtrohen. Ose je me ata që rezistojnë. MES NUK KA”, tha ajo.
Deputetja e Partisë Demokratke të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, reagoi poashtu duke thënë se qeveria (tash në detyrë) e Vetëvendosjes lufton ata që luftojnë korrupsionin.
“Në rast se këto raportime qëndrojnë, ky është sinjal i qartë, se kush guxon të prekë të pushtetshmit, ndëshkohet. Sepse, në vend që të mbrohen hetuesit, pushteti po i largon nga rastet e mëdha, duke penguar hetimet dhe duke e kthyer drejtësinë në farsë. Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit pa mbrojtur ata që e luftojnë korrupsionin”, shkroi ajo.
Gazetari Lirim Mehmetaj pas raportimit të Nacionales e quajti “pushtet të frikshëm” mënyrën e degradimit të dy policëve me vendim të drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhës, i cili, tashmë në strukturat udhëheqëse e sheh “të dirigjuar politikisht nga Xhelal Svçela2.
“Hetuesin policor, Shaip Elshani, që po e hetonte Hajdarin, policia e ka transferuar në Malishevë. Kurse Idriz Gashin në Skenderaj. A po e kuptoni që kjo është ndërhyrje e padëgjuar më parë në Kosovë, ku hetuesit tërhiqen pothuajse në fund të rastit”, tha ai.
“Për ata që nuk e dijnë, hetuesi policor është personi kryesor në rast, sepse ai është i ngarkuar me gjetjen e fakteve dhe prezantimin e tyre para prokurorit. Shtet mafi. Pushtet i frikshëm”, përfundoi Mehmetaj.
Raportimi i Nacionales:
Gazeta Nacionale ka mësuar ekskluzivisht se rreshteri Idriz Gashi është degraduar nga Policia e Kosovës, me një vendim të drejtorit të Përgjithshëm, Gazmend Hoxha. Kjo, një vit pas hulumtimit të Nacionales, për vendosjen në një listë të largimit të pesë hetuesve, të cilët kishin hetuar aferat më të njohura korruptive të pushtetit. Madje, ky nuk është rasti i vetëm. Nacionale ka mësuar se nga Njësia e Veçantë Hetimore është larguar edhe një hetues tjetër, që kishte qenë pjesë e ekipës hetimore me numrin 6, të cilën e udhëhiqte rreshteri Idriz Gashi.
Bazuar në informacionet që ka siguruar Nacionale, rreshteri Idriz Gashi që kishte hetuar edhe afera të tjera të njohura korruptive si rasti i Nagip Krasniqit, apo i Faruk Mujkës, është degraduar skajshmërisht me një vendim të ditëve të fundit. Nga një rreshter e hetues që ka trajtuar dyshimet korruptive në vlera miliona euro, tash Gashi është dërguar në Skënderaj si Mbikëqyrës i Ekipit Patrullues.
Sipas një vendimi të cilin e ka parë gazeta Nacionale, kjo vendimmarrje është arsyetuar me nevojat operacionale dhe rritjen e performancës. Si argument, është përdorur Udhëzimi Administrativ për Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, ku neni 38, i jep kompetenca drejtorit të Policisë për transferimin e zyrtarëve policorë prej një vendi, në tjetrin. Megjithatë, asnjë arsye më shumë. Si rezultat, pas vendimit, rreshteri Gashi e pati të pamundur të ishte pjesë e intervistimit të Rozeta Hajdarit, në rastin e Rezervës që e hetoi nga ditët e para.
“Ky është pengim direkt i hetimeve, sepse rastin e Rezervës, por edhe rastet e tjera që janë inicuar nga këta hetues, duhet t’i jepen dikujt tjetër”, ka thënë një burim në kushte anonimiteti për gazetën Nacionale.
Përveç rreshterit Idriz Gashi, nga Njësia e Veçantë Hetimore u largua dhe u degradua hetuesi Shaip Elshani. Siç ka mësuar Nacionale, ai u dërgua si hetues në rajonin e Gjakovës, në stacionin e Policisë në Malishevë. Sipas burimeve, edhe ndaj tij, arsyetimet ishin të njëjta. Pra, për nevoja operacionale. Elshani, kishte qenë pjesë e ekipës hetimore me numër 6, që drejtohej nga rreshteri Gashi, dhe e njëjta ishte shuar pas ‘reformave’ të fundit të nisura në këtë Njësi, kryesisht pas ndërrimit të pushtetit në Kosovë.