“Precedenti famëkeq”: Putin përmend sërish Kosovën
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në një takim të stafit të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë së premtes përmendi Kosovës.
“Klan Kosova”, duke cituar “Miragenews” raporton se mes tjerash, ai përmendi shtetin e Kosovës për “t’i arsyetuar veprimet e tij në shtetet fqinje”.
Putin citohet ta ketë quajtur “precedent famëkeq” shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Në këtë kontekst, ju kujtoj precedentin famëkeq të Kosovës. Është folur shumë herë më parë dhe tani do ta them sërish. Precedenti i krijuar nga vetë vendet perëndimore, duke e njohur ndarjen e Kosovës nga Serbia në vitin 2008 si legjitime në rrethana absolutisht të ngjashme. Më pas erdhi vendimi i njohur i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik 2010, bazuar në nenin 1, paragrafin 2 të Kartës së OKB-së, vendosi dhe citoj: ‘Asnjë ndalim i përgjithshëm kundër deklaratave të njëanshme të pavarësisë nuk mund të nxirret nga praktika e Këshillit të Sigurimit’. Dhe citati tjetër: ‘E drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalim të zbatueshëm për deklaratat e pavarësisë’. Për më tepër, aty shkruhej se pjesët e një vendi, çdo vendi, që kanë vendosur të shpallin pavarësinë e tyre nuk duhet të kërkojnë leje nga autoritetet qendrore të shtetit të tyre të mëparshëm. Gjithçka është shkruar aty, të gjitha të shkruara nga dora e tyre, e zeza në të bardhë.” – ka thënë ai.
Tutje, Putin është shprehur:
“Pra, a kishin të drejtë këto republika – Donetsk dhe Lugansk – të shpallnin pavarësinë e tyre? Sigurisht që po. Pyetja nuk mund të shqyrtohet në asnjë mënyrë tjetër”.