Procesohen të gjitha vendvotimet e përfaqësive diplomatike: Diaspora ia shtoi Kurtit një ulëse
Ka përfunduar tashmë numërimi dhe procesimi i të gjitha vendvotimeve në përfaqësi diplomatike, që ishin 47 prej tyre. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar 83.28 për qind të këtyre votave, duke e fituar edhe ulësen e 50-të në Kuvendin e Kosovës.
Pas Vetëvendosjes, Partia Demokratike e Kosovës mori 1 mijë e 608 vota në përfaqësi diplomatike, apo 7.13 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 6.60 për qind, ose 1 mijë e 490 vota. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori 464 vota, apo 2.06 për qind.

Ndërkohë, Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se të premten në mbrëmje (12 qershor) ka filluar vlerësimi si dhe numërimi i votave me postë, i cili është zhvilluar në 23 kutitë postare të KQZ-së.
Nga pakot e fletëvotimeve me postë deri më tani 2 mijë e 244 janë refuzuar.
Sipas rezultateve aktuale, pa procesimin e vendvotimeve të votave me postë dhe atyre me kusht, VV ka fituar 44.19 për qind të votave, që përkthehet në 50 ulëse.
PDK ka marrë 20.78 për qind të votave, apo 23 ulëse, ndërkaq LDK 17.13 për qind, apo 19 ulëse.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.05 për qind, ose 8 ulëse.
KËTU mund t’i shihni përditësimet e fundit nga KQZ.