"Prania e Ujqërve të Natës dhe forcave të Wagnerit", Kurti thotë se po hetohet ndikimi eventual në sulmet e majit - NACIONALE

"Prania e Ujqërve të Natës dhe forcave të Wagnerit", Kurti thotë se po hetohet ndikimi eventual në sulmet e majit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Geopost, ka ngritur shqetësimet për praninë e "Ujqërve të Natës" dhe forcave të kompanisë private ruse "Wagner" në rajonin e Ballkanit. Kurti theksoi se po mblidhen të dhëna për të zbuluar ndikimin e tyre eventual në sulmet e fundit të majit kundër Policisë së Kosovës, ushtarëve të NATO-s dhe gazetarëve. Kurti foli edhe për lidhjet e tyre ideologjike. Në veçanti, ai vuri në dukje se ekstremistët e identifikuar kanë bindje të së djathtës ekstreme nacional-shoviniste serbomadhe, të cilët adhurojnë liderë të hershëm si Millosheviqi dhe Putini.

Ai tha se këto grupe nuk janë vetëm kriminelë që kanë kryer krime në të shkuarën, por ata janë të hapur në dëshirën e tyre për të vazhduar të kryejnë krime edhe në të ardhmen. Ai tregoi se një nga parullat e protestës me 26 maj ishte "Vrite, vrite", duke theksuar se këto nuk ishin protesta paqësore.

"Ujqit e natës edhe Wagnerët kanë qenë në rajonin e Ballkanit, janë në Serbi dhe ne kemi të dhëna se kanë qenë gjatë muajit dhjetor në veri të Kosovës e tash po i mbledhim edhe të dhënat për ndikimin e tyre eventual në sulmet e 26 dhe 29 majit kundër policisë sonë, ushtarëve të NATO-s dhe gazetarëve. Bëhet fjalë përgjithësisht për njerëz të cilët, jo vetëm se janë kriminelë të cilët kanë bërë krime, por hapur e thonë që do të bënin sërish krime. Konkretisht, një ndër parullat që brohoritej me 26 maj ishte “Vrite, vrite”. Nuk janë këto protesta paqësore, të djegësh vetura të policisë, të bërtasësh “ Vrite, vrite” me banda të orkestruara nga Beogradi që paguhen prej andej dhe prej atje i marrin edhe direktivat, këto veçse protesta paqësore nuk janë", - tha Kurti.

Ai theksoi se këta individë adhurojnë ideologjinë e së djathtës ekstreme nacional-shoviniste serbomadhe dhe që adhurojnë liderë si Millosheviq dhe Putin. Kurti shprehu shqetësimin se ky adhurim për figura të tilla politike është shumë joshës për paramilitarët terroristë dhe gjenocidal.

"Këta persona, këta ekstremistë që 5 prej tyre janë në burg, ndërkaq edhe 13 prej tyre i kemi identifikuar me siguri që janë njerëz të tillë te të cilët Kremlini sheh shansin e vet. Meqenëse bëhet fjalë për ideologji të së djathtës ekstreme nacional- shoviniste serbomadhe e cila e adhuron edhe Millosheviqin edhe Putinin. Pra ky adhurim i Millosheviqit dhe Putinit si ideologji, si figura të ideologjisë së tyre, natyrisht që është shume joshës për gruet paramilitare terroriste gjenocidale sikurse puna e Wagnerit", - ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar.

Kryeministri Kurti gjithashtu foli për praninë e një milicie fashiste në Zveçan, e cila përfshinte edhe serbë nga policia e Serbisë. Ai tha se këta individë ishin ardhur për të ushtruar dhunë në Kosovë.

"Ajo çfarë kemi parë ne në Zveçan, ajo është një lloj milicie fashiste e cila kishte edhe serbë, të cilët janë policë në Serbi dhe kanë ardhur që të bëjnë llum në Kosovë. Janë tri kategori të qytetarëve në këto trazira të dhunshme, kategoria e parë janë mbrojtja civile e ku hyjnë edhe policët nga Serbia, elementët e xhandarmerisë të Rusisë, që janë adhurues të Rusisë e kështu me radhë. Kategoria e dytë janë punëtorët e administratës publike që e kanë të detyruar të dalin në të ashtuquajturat protesta sepse përndryshe humbin vendin e punës. Kategoria e tretë janë punëtorët në kompanitë private të disa prej kontrabandistëve, kriminelëve kryesorë si Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq, të cilët detyrohen të shkojnë në sheshin para komunës e të jenë të dhunshëm ndërkaq te vend ii tyre i punës në kompani private të këtyre kriminelëve multimilionerë iu shkruan se kanë marrë ditë pushimi. Këto janë tri kategoritë kryesore", - ka thënë Kurti mes tjerash.

Lajme të ngjashme