"Poshtërsi e llojit të veçantë": Miftaraj i reagon Kurtit për çështjen e operimit të FSK-së në veri
Në një reagim të ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti lidhur me sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka akuzuar kryeministrin për mashtrim publik dhe shmangie të përgjegjësisë.
Gjatë një konference për shtyp, Kurti tha se hendikepi kryesor për sigurinë në veri qëndron tek pamundësia e Ushtrisë së Kosovës për të operuar atje, për shkak të kufizimeve të trashëguara nga marrëveshjet e ish-kryeministrit Hashim Thaçi. Kjo deklaratë, sipas Miftarajt, është një "ofendim për publikun" dhe një "mashtrim të hapur."
Ai argumenton se në kushte paqeje, Ushtria e Kosovës nuk ka kompetencë për të bërë roje në objektet kritike, pasi kjo detyrë u përket shërbimeve të inteligjencës dhe policisë.