Politikanë e ushtarakë në Gjermani e sugjerojnë kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak - NACIONALE

Politikanë e ushtarakë në Gjermani e sugjerojnë kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa figura politike e ushtarake në Gjermani e kanë sugjeruar kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, pasi ministri i ri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e përshkroi largimin e kësaj mase më 2011 si “gabim” që ka ndikuar në izolimin e publikut të përgjithshëm nga institucionet publike.

Komisionarja parlamentare për forcat e armatosura, Eva Hoegl, të mërkurën i bëri thirrje qeverisë që ta pyesë veten nëse kërkohet një formë e shërbimit të detyrueshëm publik për ta adresuar mungesën e stafit në rangjet e ushtrisë gjermane, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ne përfundimisht kemi nevojë për më shumë personel në ushtrinë gjermane”- tha zonja Hoegl për gazetën “Augsburger Allgemeine”.

Komandanti i forcave detare gjermane, Jan Christina Kaack, rishtazi e propozoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak sipas modelit norvegjez, ku djemtë dhe vajzat thirren për ekzaminim, kur t’i mbushin 19 vjet, por vetëm një përqindje e vogël e të rinjve të motivuar bëhet pjesë e ushtrisë çdo vit.

“Unë besoj që një vend që duhet të bëhet më i aftë për ta marrë veten në kohë si kjo, do të ketë një nivel më të lartë të vetëdijes, nëse përzihet me ushtarë”- tha Kaack.

Qeveria, për të cilën debati në rritje, mbi të gjitha, është dhimbje koke, ka reaguar shpejt në përpjekje për të hedhur ujë të ftohtë në këtë debat. “Të gjitha përpjekjet tona duhet të përqendrohen në fuqizimin e ushtrisë si ushtri me profesionalizëm të lartë”- tha ministri i Financave, Christian Lindner, duke e cilësuar debatin si “mosmarrëveshje fantazmë”.

Debati nisi nga një intervistë e ministrit të Mbrojtjes, i cili e mori detyrën javën e kaluar, që tha se ka qenë gabim largimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak para më shumë se një dekade.

Nga viti 1956 deri më 2011, burrat gjermanë ishin të detyruar që të kryenin një lloj shërbimi publik në momentin e mbushjes së moshës 18-vjeçare. Ata që nuk dëshironin që të shërbenin në ushtri, kishin mundësi që të shërbenin në institucione të tjera publike, si spitalet ose shtëpitë për kujdesin ndaj të moshuarve.

Lajme të ngjashme