Policia sekuestron 24 revole në Merdarë, arrestohen tre persona
Policia e Kosovës me një aksion të fundit ka sekuestruar 24 revole si dhe ka arrestuar tre persona.
Përmes një komunkate për media bëhet e ditur se pas një pune hetimore dhe operative në teren në pikën e kalimin kufitar në Merdare, PK kanë ndaluar veturën e tipit Mercedes me tabela të huaja, të cilën e drejtonte i dyshuari H. H., (1975) me shtetësi Gjermane, gjatë kontrollit të veturës së personit të dyshuar janë gjetur njëzetekatër (24) revole.
“Lidhur me rastin pas arrestimit të personit të parë të dyshuar, në pikën kufitare Merdare, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprime të tjera hetimore me qëllim të zbardhjes së rastit, me ç’rast kanë kontrolluar tri lokacione: dy (2) lokacione në Pejë dhe një (1) lokacion në Skenderaj.” – thuhet në njoftim.
Në Pejë janë kontrolluar një pronë e të dyshuarit të parë H.H si dhe një pronë e të dyshuarit B.H., (1984) ndërsa në Skenderaj është kontrolluar prona e të dyshuarit H.Z., (1972) dhe në lidhje me rastin si dëshmi materiale janë sekuestruar: 24 revole të tipit Zoraki 9 mm, të modifikuara nga lloji i armës me plumba me gas, në armë me fishekë zjarri, 1 veturë furgon - Mercedes me targa gjermane, 650 euro para të gatshme, 3 telefona, 1 DVR.
“Me aktvendim të prokurorit kompetent pas intervistimit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor, prej 48 orë.” – thuhet në përfundim të komunikatës.


